Lidhje

Sportistët amerikanë përgatiten për Lojrat Olimpike 2008


Ndërsa Pekini përgatitet të mirëpresë qindra mijëra vetë për Lojrat Olimpike të gushtit, shumë sportistë në Shtetet e Bashkuara janë të ndërgjegjshëm për çështjet që kanë nxitur protestat e fundit. Ndërsa disa kanë shprehur synimin e tyre për t’i përdorur lojrat si një platformë për të tërhequr vëmendjen ndaj gjenocidit në Darfur apo të drejtat e njeriut në Kinë, të tjerë mendojnë se politika nuk duhet të përzihet me Lojrat Olimpike. Para pak ditësh në Çikago disa nga sportistët amerikanë u takuan me median për të diskutuar lojrat që po afrohen.

Është vetëm fillimi i stërvitjes për ekipin amerikan të basketbollit të femrave. Ekipi ende duhet të kualifikohet për Lojrat e Pekinit dhe drejtohet nga trajnerja Anne Donovan. Në vitin 1980 Donovan ishte një sportiste e re që shpresonte të konkuronte në Lojrat Olimpike kur presidenti Jimmy Carter mori vendimin për të bojkotuar Lojrat e Moskës pas pushtimit sovjetik të Afganistanit. "Nuk njoh shumë sportistë që e panë këtë veprim si një gjest patriotik. Për shumë nga ne ajo ishte një ndërhyrje e pakuptimtë".

Donovan më në fund arriti të konkurrojë në Lojrat Olimpike të 1984ës në Los Angeles ku fitoi medaljen e artë. Ndërsa përgatit ekipin e saj për në raundet kualifikuese, ajo është e ndërgjegjëshme për ndërhyrjen në vitin 1980 që e ndali atë nga konkurimi. "Pa dyshim, ka shumë çështje të rëndësishme rreth këtyre Lojrave të cilat më interesojnë. Por Lojrat Olimpike janë për paqen, dhe kërkojnë që të shmaget politika dhe të garantohet se ato do të jenë thjeshtë një garë sportive".

Në takimin e Komitetit Olimpik Amerikan me median në Çikago, pyetja se si të tërhiqet vëmendje ndaj çështjeve të tilla si Darfuri dhe Tibeti, ishte një pyetje që pak sportistë mund ta evitonin. Abby Wambach është futbolliste me ekipin kombëtar: "Nuk mendoj se të gjithë duhet të jenë aktivistë dhe nuk mendoj se të gjithë duhet të kenë një opinion". Ajo thotë se për sportistët, arritjet në Lojrat Olimpike janë mënyra më e mirë për të dërguar një mesazh. "Ne vërtetë mund të bëhemi katalizatorë ndryshimesh duke qëndruar në podium me medalje të arta dhe duke shpresuar të frymëzojmë të tjerët për të patur rezultate më të mira. Kjo është mënyra më e mirë për sportistët për të dërguar një mesazh".

Fituesi i gjashtë medaljeve të arta Michael Phelps tha se është aq i përqëndruar në stërvitje saqë nuk ka kohë të shkëpusë vëmendjen nga gara. "Çfarëdo që të ndodhë, do të ndodhë. Unë po përgatitem me sa mundem për Lojrat Olimpike. Megjithatë disa atletë po e kombinojnë sportin me politikën". Ekipi Darfur është një shoqatë sportistësh, ku përfshihen disa pjesëtarë të ekipeve amerikane, e organizuar me shpresën që t’i shfrytëzojë Lojrat Olimpike si një platformë për të tërhequr vëmendjen tek kriza në Darfur.//rd//

XS
SM
MD
LG