Lidhje

Presidenti Bush vë në lojë veten dhe kandidatët presidencialë


Mbrëmë këtu në Uashington u zhvillua një ngjarrje vjetore tradicionale, që shoqërohet me shumë humor. Ajo është darka vjetore e korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë, në të cilën merr pjesë edhe vetë presidenti.

Në fjalimin me këtë rast, presidenti George Bush vuri veten në lojë dhe bëri shaka rreth pasardhësve të tij të mundshëm. Zoti Bush theksoi mungesën e të tre kandidatëve presidencialë: senatorit republikan John McCain dhe senatorëve demokratë Hillary Clinton dhe Barack Obama. "Të them të drejtën, jam pak i çuditur që në darkë nuk është asnjë nga kandidatët presidencialë. Senatori McCain ndoshta do të distancohet nga administrata Bush", tha presidenti duke shtuar se edhe vajza e tij po largohej nga shtëpia. Jenna Bush martohet pas dy javësh.

Duke iu referuar debateve të fundit në fushatën e demokratëve presidenti Bush sugjeroi se zonja Clinton nuk mund të vinte në darkë për shkak të zjarrit të snajpërve dhe se zoti Obama ishte në kishë. Presidenti Bush tregoi gjithashtu vidioklipe nga fjalimet e tij të mëparshme të këtyre darkave tradicionale dhe përfundoi duke dirigjuar Bandën e Marinës amerikane me një marsh patriotik.

Shoqata e Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë u formua në vitin 1914 si një urë lidhëse mes shtypit dhe presidentit. Çdo president që nga koha e Calvin Coolidge ka marrë pjesë në darkë. //rd//

XS
SM
MD
LG