Lidhje

Analistët diskutojnë rolin e NATO-s në Afganistan


Afganistani ishte problemi kryesor i diskutimeve kur kryetarët e shteteve dhe qeverive nga 26 vendet anëtare të NATO-s u mblodhën në Bukuresht në fillim të këtij muaji. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Andre de Nesnera i hedh një vështrim rolit të NATO-s në Afganistan.

NATO-ja vepron në Afganistan që nga viti 2003, duke udhëhequr 47 mijë forca, kontigjent ky nën mandatin e Kombeve të Bashkuara i njohur si Forca Ndërkombëtare në Ndihmë të Sigurisë. Ky është misioni i parë i aleancës Euro-Atlantike jashtë rajonit.

Analistët thonë se NATO-ja ka tre objektiva në Afganistan. I pari është që t’i ndihmojë qeverisë së Presidentit Hamid Karzai në përpjekjet e saj për rindërtimin dhe stabilizimin e vendit. I dyti është trajnimi i ushtrisë dhe policisë afgane dhe i treti - kapja dhe asgjësimi i kryengritësve në jug të Afganistanit, vend-strehim për Talebanin, i larguar nga pushteti nga një koalicion i udhehequr nga Shtetet e Bashkuara në vitin 2001.

Gjatë takimit të nivelit të lartë në Bukuresht, udhëheqësit riafirmuan angazhimin e tyre për misionin e aleancës në Afganistan. Në një deklaratë theksohej se si NATO-ja, ashtu dhe partnerët e saj afganë “nuk do t’i lejojnë ekstremistët dhe terroristët të marrin përsëri kontrollin mbi Afganistanin ose ta përdorin atë si një bazë për terror që kërcënon popujt tanë”.

Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje vendeve evropiane të kontribuojnë me më shumë trupa në Afganistan. Por, gjatë takimit të nivelit të lartë, vetëm pak vende, me në krye Francën, ranë dakord të dërgojnë rreth 1000 trupa shtesë. Charles Kupchan, analist në Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë në Washington, thotë se suksesi i luftës është i largët.

“Është një sukses nëse objektivi është krijimi i kushteve për ruajtjen e koalicionit. Dhe prishja e tij ishte një perspektivë reale sepse kanadezët kishin thënë se nëse ata nuk do të kenë mbështetjen përgjatë vijës së luftimit nga 1000 trupa për të luftuar përkrah tyre në jug, ata do të largoheshin. Francezët ndoshta do të dërgojnë në lindje të Afganistanit rreth 7-800 trupa për t’i dhënë mundësi trupave amerikane të shkojnë përkrah atyre kanadeze në jug për të shmangur largimin e tyre dhe kështu të mundësojnë një farë stabiliteti në koalicion, të paktën tani për tani”.

Pas takimit të nivelit të lartë, zyrtarët francezë thanë se do të dyfishojnë numrin e trupave në Afganistan duke e çuar në rreth 3000. Por ekspertët thonë se trupat shtesë nuk do të shkojnë në jug, që është dhe vendi i luftimeve të ashpra.

Analistët thonë se pengesë për NATO-n në luftë kundër Talebanit kanë qenë të ashtuquaturat “kushtet”, ose kufizimet e vendosura nga vende të ndryshme anëtare të NATO-s rreth veprimeve të forcave ose vendosjes së tyre në Afganistan. Ekspertët thonë se porblemi i “kushteve” në takimin e nivelit të lartë në Bukuresht ishte shmangur.

Tomas Valasek, ekspert për NATO-n në Qendrën për Reformat Evropiane në Londër, thotë se udhëheqësit evropianë janë shumë të matur për dërgimin e trupave të tyre që të luftojnë kryengritësit në jug.

Robert Hunter, ish-ambasador i Shteteve të Bashkuara në NATO gjatë administratës së Presidentit Klinton, tani studiues në Korporatën Rand, thotë se Washingtoni duhet të vazhdojë t’i kërkojë aleatëve të tij evropianë të dërgojnë më shumë trupa në Afganistan.

“Por, nëse për arsye të brendëshme politike, disa prej tyre nuk munden, mendoj se duhet të kërkohet që ata të japin kontribute të mjaftueshme në drejtime të tjera, si në rindërtim dhe zhvillim, për të cilat gjithësecili, duke përfshirë dhe komandantët ushrarakë, thonë se do të jetë kyçi i suksesit në Afganistan”.

Shumë ekspertë thonë se kredibiliteti i NATO-s është në rrezik nëse nuk mposht Talebanin dhe nuk sjell stabilitet në vend. Sipas tyre, që NATO-ja të ketë sukses, vendet anëtare duhet të kontribuojnë me më shumë trupa dhe armatime për të luftuar Talebanin. Ky problem do të diskutohet përsëri në takimin e nivelit të lartë vitin e ardhshëm.

Por, ekspertët gjithashtu janë të një mendimi se e vetme, NATO-ja nuk mund të stabilizojë situatën në Afganistan. Ata thonë se komuniteti ndërkombëtar duhet gjithashtu të japë ndihmën e nevojshme ekonomike dhe financiare për t’i ardhur në ndihmë qeverisë së presidentit Hamid Karzai. //iç//

XS
SM
MD
LG