Lidhje

Patriarku Pavle përdor mesazhin e Pashkëve për të dënuar pavarësinë e Kosovës


Kreu i Kishës Ortodokse Serbe përdori mesazhin e tij të Pashkëve për të dënuar pavarësinë e Kosovës, duke e quajtur lëvizjen dhe mbështetjen e perëndimit për të, të padrejtë dhe një shkelje të integritetit kulturor dhe politik të Serbisë.

Mesazhi i patriarkut Pavle e quan Kosovën një pjesë integrale të jetës së çdo serbi të krishterë ortodoks. Ai e quajti pavarësinë e Kosovës një padrejtësi historike që ka shkaktuar dhimbje dhe vuajtje për popullin serb.

Ndërkohë, qindra serbë të Kosovës u mbodhën të dielën për shërbesa të Pashkëve ortodokse edhe në Mitrovicë. Shërbesat përkuan me mesazhin e udhëheqësit të Kishës Ortodokse të Beogradit që u bëri thirrje pasuesve të kishës të angazhohen për të mbrojtur Kosovën. Udhëheqësi i kishës dhe drejtues të tjerë fetarë thanë se Kosova është pjesë e jetës së serbëve ortodoks.

Të shtunën në mbrëmje, Presidenti i Serbisë Boris Tadiç, mori pjesë në liturgjinë me rastin e Pashkëve ortodokse në Manastirin e Deçanit në Kosovën perëndimore. Gjatë qëndrimit në këtë manastir ai ka thënë se dëshiron të transmetojë mesazhe të paqes e vullnetit të mirë për komunitetin serb dhe të gjitha bashkësitë tjera etnike në Kosovë.

Vizita e tij në Kosovë ndodhi vetëm dy javë para zgjedhjeve parlamentare e lokale të Serbisë, të cilat autoritetet e Beogradit synojnë t'i organizojnë edhe në Kosovë.

Institucionet vendase e ndërkombëtare në Kosovë thonë se nuk kanë asgjë kundër pjesëmarrjes së serbëve në zgjedhjet parlamentare, por kundërshtojnë organizimin e zgjedhjeve komunale të Serbisë në Kosovë.

Zgjedhjet e 11 majit në Serbi u shpallën pas bllokadës së qeverisë së Serbisë, pak ditë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, e cila nxitit zemërim në Beograd dhe tek serbët e Kosovës.

Vizitat e udhëheqësve politikë të Serbisë në Kosovë, nuk shihen me sy të mirë nga shqiptarët, ndërsa administrata ndërkombëtare i cilëson ato si vizita private.

Ndërkaq, në Moskë, rreth 1 mijë e 500 veta, shumica të rinj nacionalistë dhe besimtarë ortodoksë, demonstruan të dielën në shenjë solidariteti me serbët dhe integritetin e tyre territorial në një marshim me rastin e Pashkëve. Marshimi u organizua nga unioni i të Rinjve të Euroazisë për të shprehur mbështetje dhe solidaritet me Serbinë dhe veçanërisht me serbët që jetojnë në Kosovë. (ze)

XS
SM
MD
LG