Lidhje

SHBA: Kritika ndaj administratës për objektin bërthamor të Sirisë


Ligjvënës amerikanë nga të dy partitë po kritikojnë administratën e Presidentit Bush që e ka dhënë shumë vonë informacionin e zbulimit se Siria zotëronte një reaktor bërthamor, objekt të cilin Izraeli e bombardoi në 2007.

Javën e kaluar, zyrtarë të lartë amerikanë të zbulimit thanë se besonin prej një kohe të gjatë se objekti i vënë në shënjestër nga Izraeli ishte një reaktor bërthamor sirian i projektuar për të prodhurar plutonium dhe ishte ndërtuar me ndihmën e Koresë së Veriut. Ky njoftim ishte i papritur për shumë në Uashington dhe ka ngjallur shqetësim mes republikanëve dhe demokratëve në Kongres.

Një aleat me rëndësi i Presidentit Bush, anëtari republikan i Komisionit të Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve, Pitër Hoekstra, tha në një dëshmi javën e kaluar se zyrtarë amerikanë të zbulimit nuk iu përgjegjën deri në fund dhe të gjitha pyetjeve të tij. Zoti Hoekstra shprehu shteqësimin rreth objektit bërthamore të Sirisë në programin “Late Edition” të kanalit televiziv CNN.

"Sa pranë momentit të vënies në funksionim ishte ai objekt? Kush e financoi atë? Sa i ngushtë ishte bashkëpunimi mes Koresë së Veriut dhe Sirisë? Dhe ku gjetkë është angazhuar Korea e Veriut për përhapjen e armëve?"

Kongresmeni Hoekstra tha se po ta kishte bërë të ditur më parë administrata e Presidentit Bush këtë informacion për Sirinë, komisioni i tij dhe entitete të tjera do ta kishin hetuar çështjen dhe ndoshta do ta kishin përcaktuar përgjigjen shumë më parë.

Komentet e zotit Hoekstra gjetën jehonë edhe tek Senatorja Dajen Fainstain, antëare e Komisionit të Senatit për Zbulimin, e cila tha se jo vetëm që administrata e Presidentit Bush duhet të kishte qënë më e hapur për informacionin që zotëronte për objektin sirian, por ajo duhet të kishte vënë në dijeni Agjencinë Ndërkombëtare të Egjergjisë Atomike.

"Për mendimin tim çështja i duhej paraqitur menjëherë kësaj agjencie, sepse ajo është e ngarkuar për hetimin e këtyre zhvillimeve. Prandaj duke mos ia dhënë menjëherë këtë informacion, ne shkatërrojmë potencialin verifikues të saj si një agjenci e jashtëme e pavarur”.

Senatorja Fainstain shtoi se e shteqëson edhe vonese e nxjerrjes së këtij informacioni nga administrata e Presidentit Bush, pikërisht shtatë muaj pasi Izraeli e bombardoi këtë objekt të dyshuar.

Në deklaratat e tyre për shtyp, zyrtarë amerikanë të zbulimit thanë se vonesa në publikimin e këtij informacioni ishte e motivuar nga dëshira për të parandaluar konfrontimin dhe konfliktin në Lindjen e Mesme. Ata thanë se patën frikë se Siria do të ndjente një presion më të madh dhe do të hakmerrej ndaj Izraelit për bombardimin, në qoftë se të dhënat amerikane të zbulimit për objektin do të ishin publikuar. Siria i ka hedhur kategorikisht poshtë akuzat e Shteteve të Bashkuara rreth qëllimit të objektit.

Zbulimi amerikan është parë më me dyshim si brenda vendit edhe jashtë për informacionin që mbledh për kundërshtarët e tij që nga ndërhyrja në Irak në vitin 2003. Në atë kohë, administrata e Presidentit Bush akozoi Irakun se kishte një program aktiv armësh të shkatërrimit në masë. Deri më sot, kanë dalë në dritë pak, në qoftë se aspak prova që të mbështesin këtë pretendim të administratës, që shërbeu si justifikimi kryesor për përmbysjen e Sadam Huseinit nga pushteti. //iç//

XS
SM
MD
LG