Lidhje

Regjistri i ADN-së, e ardhmja e luftës kundër krimit


Policia mjeko-ligjore britanike kërkoi ngritjen e një baze të dhënash për ADN-në e fëmijëve problematikë për ta patur në rast se ata kthehen në kriminelë pasi të rriten. Autoritetet kanë shtuar vëzhgimet ndaj telefonave celularë, përdorimit të kartave të kreditit dhe lëvizjen e njerëzve. E gjithë kjo ka ngritur pyetjen nëse është i nevojshëm grumbullimi i këtyre informacioneve.

Kler Derik është një nënë me shumë shqetësime. Vjedhja e identitetit është një prej tyre. Ajo është njëra nga 25 milionë individët, informacionet personale të të cilëve, qeveria ka pranuar se i ka humbur. “Ku dihet cilat do të jenë pasojat? Nëse numrat e llogarisë të bankës janë aty, grabitësit mund të më marrin paratë nga llogaria.”

Zonja Derik thotë se është në merak edhe nga propozimet e policisë për të ngritur një bazë të dhënash për ADN-në e fëmijëve të pasjellshëm. “Është shumë shqetësuese që edhe fëmijët e moshës 5 vjeç të futen në klasifikime të tilla. Është për të ardhur keq.”

Një ekspert mjeko-ligjor pranë policisë londineze thotë se fëmijët rrugaçë duhet të regjistrohen sepse kështu kriminelët e ardhëshëm mund të zbulohen qysh në moshë të vogël. Eksperti refuzoi të fliste para kamerës. Por Tony McNulty, ministri për policinë dhe sigurinë, thotë se baza e të dhënave për ADN-në do të ishte një mjet i rendësishëm. “Në dy vrasje të fundit, të dyshuarit u dënuan si rezultat i analizës së ADN-së. Hetimet dolën me sukses sepse ADN-ja e kriminelëve gjendej në bazën e të dhënave. Ata ishin ndaluar nga policia shumë kohë më parë për kundravajtje fare të vogla.”

Aktivistja e të drejtave civile Xhen Koreu thotë se po shkohet shumë larg. “Shumë të rinj arrestohen nga policia dhe mund të lirohen menjëherë me ndonjë gjobë apo paralajmërim, ndaj ne shqetësohemi se kjo i bën ata fajtorë thjesht sepse janë të lidhur me dikë. Është pastaj edhe fakti se po kështu kriminalizohen fëmijët që nuk kanë bërë asgjë.”

Qeveria britanike ka regjistrin më të madh në botë të ADN-së, me 4,5 milionë kampione gjenetike. Policia britanike gjithashtu mbështet një propozim për regjistrim ADN-je për të gjithë Bashkimin Evropian duke shtuar këtu edhe sistemin automatik për deshifrimin e shenjave të gishtrinjëve.

Veç kësaj, Qendra për Kërkime Kriminale thotë se një e pesta e kamerave të sigurisë në botë janë në Britani dhe një londinez i zakonshëm kapet 300 herë në ditë nga kamerat e sigurisë. Veprimtarët e të drejtave të njeriut dhe të privacisë thonë se autoritetet po i diskriminojnë njerëzit artificialisht duke mbledhur të dhëna nga veprimet bankare, celularët dhe monitorimi i lëvizjeve të individëve.

Një deputet i opozitës thotë se krijimi i një baze të dhënash për ADN-në e individëve është shqetësuese. “Aty ka informacione të vlefshme, apo të fshehta në të njëjtin vend. Ndaj për keqbërësit apo terroristët është mjaft me vlerë që t’i vidhnin këto informacione apo ti falsifikonin ato.”

Meraku kryesor i zonjës Derik është fakti se ata do të kenë në dorë informacionet më private të njeriut, kodin gjenetik. “Mendoj se qeverisë nuk i besohet ADN-ja kur ajo nuk është në gjendje të ruajë llogaritë bankare dhe informacionet personale. Jo, atyre nuk mund t’u besohet.”

Nga ana e saj, qeveria këmbëngul se regjistrat e ADN-së janë e ardhmja. Aktivistët e të drejtave civile thonë se sfida për Britaninë do të jetë gjetja e ekuilibri mes grumbullimit dhe ruajtjes së informcioneve duke respektuar në të njëjtën kohë të drejtën e qytetarëve. //ad//

XS
SM
MD
LG