Lidhje

Bota në rrezik krize nga rritja e çmimit të ushqimeve


Programi Botëror i Ushqimit paralajmëron se çmimet në rritje të ushqimeve mund të shkaktojnë krizë globale në qoftë se bota nuk vepron menjëherë. Agjencia botërore e ushqimit i ka bërë thirrje urgjente komunitetit ndërkombëtar për ndihmë të menjëhershme për vendet në zhvillim që nuk arrijnë t’i përballojnë mungesat e ushqimit dhe çmimet e larta. Ka pasur kërkesa edhe për kufizimin e bio-karburanteve, për të cilat disa besojnë se janë pjesërisht shkaktare të krizës që po krijohet në tregjet e ushqimit.

Në disa vende, familjet shpenzojnë deri në 80 përqind të të ardhurave për ushqim. Kjo situatë ka shkaktuar zemërim që vazhdon të rritet. Në Lindjen e Mesme ka mungesa në furnizimet me bukë. Në Karaibe, demonstratat për ushqim rrëzuan qeverinë e Haitit. Ndërsa në Azi, trupat ushtarake ruajnë orizin. Greg Berou punon për Programin Botëror të Ushqimit në OKB. “Janë një numër faktorësh të kombinuar që po ndikojnë – çmimet e larta të naftës dhe çmimet e larta të ushqimit të nxitura nga rritja e ekonomive në Kinë dhe Indi. Pastaj fenomeni i prodhimit të bio-karburanteve, ku fushat që dikur përdoreshin për të prodhuar grurë për ushqim tani përdoren për naftë.”

Ekspertët e kërkimeve bujqësore thonë se ndryshimi i mandatit të qeverisë amerikane për rritjen e përdorimit të bio-karbureve mund të ndihmojë në lehtësimin e presionit tek çmimet e ushqimit. Por Nikolas Majnot në Institutin për Studimin e Politikave Ndërkombëtare të Ushqimit thotë se ka edhe faktorë të tjerë që kanë ndikuar në rritjen e theksuar të çmimeve të ushqimit, duke përfshirë edhe dobësimin e dollarit. “Përveç të tjerave, ka mungesa furnizimesh. Thatësira në Australi e ka kufizuar sasinë e grurit në tregjet botërore dhe, si rezultat, disa eksportues kanë kufizuar eksportet. Ukraina po kufizon eksportet e grurit, ndërsa Vietnami dhe India po kufizojnë eksportet e orizit. Të gjithë këto faktorë po e ulin sasinë e grurit në tregun botëror.”

Në të gjithë botën, kjo do të thotë se të paktën 850 milionë vetë mund të mbeten pa ushqim. Xhozet Shiran është drejtorja ekzekutive e Programit Botëror të Ushqimit. “Indeksi i mjerimit në botë po rritet, një cunam i qetë që nuk njeh kufij. Shumë njerëz as që e kuptojnë se ç’po ndodh.”

Agjencia botërore e ushqimit ka bërë thirrje urgjente për 755 milion dollarë në ndihma ushqimore. Kjo agjenci e OKB-së po i bën thirrje edhe udhëheqësve botërorë për të gjetur mënyra për të ndihmuar bujqit në vendet në zhvillim për të rritur prodhimet bujqësore. Zoti Majnot thotë se pasojat mund të jenë tragjike nëse bota nuk vepron shpejt. “Çmimet mund të vazhdojnë të rriten dhe ne mund të përballemi me një situatë urije, veçanërisht nëse nuk rriten buxhetet e ndihmës ushqimore.”

Çmimet e grurit kanë filluar të bien, por çmimi i orizit, ushqimi kryesor për gjysmën e popullsisë botërore, është thuajse dyfishuar që nga viti i kaluar. Sidoqoftë, Organizata e Kombeve të Bashkuara thotë se çmimet globale të ushqimit janë rritur me më shumë se 80 përqind gjatë tre viteve të fundit. //ad//

XS
SM
MD
LG