Lidhje

Planet e Francës për të përballur inflacionin


Bashkimi Evropian njoftoi një ngritje të ndjeshme të inflacionit këtë vit, kryesisht për shkak të ngritjes së çmimeve të naftës e të ushqimeve. Kostoja e lartë po ndjehet në gjithë bllokun me 27 vende anëtare. Qeveria franceze njoftoi një plan për të goditur kostot si pasojë e ngritjes së çmimeve.

Komisioneri i Bashkimit Evropian për çështjet ekonomike, Joaquin Almunia, njoftoi në Bruksel parashikimet e reja të inflacionit për vitin 2008, duke ndryshuar parashikimin e mëparshëm, që ishte 2 presje 6 për qind. “Ndryshimet më të mëdha në parashikimet tona kur krahasojmë këto shifra me ato të mëparshme kanë të bëjnë me inflacionin për vitin 2008 për arsye fare të njohura si ngritja e çmimeve të naftës, ngritja e çmimeve të artikujve të konsumit dhe ato ushqimore. Inflacioni ka arritur në 3 presje 6 për qind në vendet e Bashkimit Evropian, 3 presje 2 përqind në zonën, ku përdoret monedha e Euros. Por ne shpresojmë që çmimet të fillojnë të bien në 3-mujorin e dytë të vitit”.

Çmimet e larta të naftës dhe ato ushqimore po ndjehen në gjithë botën, madje kanë nxitur trazira në disa vende në zhvillim. Por edhe në vende më të pasura, si Franca, konsumatorët ankohen rreth kostos së lartë, si për shembull Lila Grimaud, nënë me 3 fëmijë, e cila jeton në një lagje të Parisit. “Çmimet në fakt filluan të ngrihen para disa vjetësh kur Euroja zëvëndësoi monedhën franceze. Unë nuk mund të përdor veturën për shkak të çmimeve të larta të karburantit. Madje unë kërkoj të gjej ushqime më të lira”. Por 70 vjeçari Georges Guedj nuk është kaq i shqetësuar. “Unë nuk ngas makinën, shkoj në këmbë kudo dhe nuk paguaj për karburantin e shtrenjtë. Gjithashtu shpenzoj sa më pak për ushqime, duke ngrënë gjëra të lira si bukë dhe vezë”.

Qeveria konservatore e Francës njoftoi një plan të ri për të goditur çmimet në rritje nëpërmjet konkurencës, duke inkurajuar ndërtimin e supermerkatove më të mëdha.

Presidenti Nikolas Sarkozi i ka kërkuar gjithashtu Bashkimit Evropian që t’i kushtojë më shumë rëndësi prodhimeve bujqësore për të garantuar sigurinë e artikujve ushqimorë në vend. //rd//

XS
SM
MD
LG