Lidhje

Freedom House: Shtypi në Shqipëri nën presion politik dhe ekonomik


Organizata Freedom House nxori sot raportin vjetor për lirinë e shtypit në botë, sipas së cilit shtypi në Shqipëri vazhdon të jetë pjesërisht i lirë dhe nën presion politik dhe ekonomik. Sipas raportit, gazetarët në Shqipëri nuk i njohin të drejtat e tyre dhe autocensura është një dukuri mbizotëruese.

Mes 195 vendeve, Shqipëria radhitet në raport në vendin e 105. Aty thuhet se qeveria e kryeministrit Sali Berisha ushtroi presion ndaj medias me prirje pro-opozitare gjatë gjithë vitit, duke i akuzuar ato - pa i përmendur me emër - se kishin marrë fonde nga grupe të krimit të organizuar.

Raporti përmend miratimin e ligjit për transmetimet dixhitale që u konsiderua se dëmtonte interesat e kompanisë Top Media, stacionet e së cilës vazhdimisht kanë kritikuar zotin Berisha, si edhe përpjekjet për gjobitjen e kësaj kompanie që shkaktuan kundërshtime dhe protesta nga organizata të të drejtave të njeriut dhe të shtypit.

Freedom House thotë se liria e informimit është e garantuar në kushtetutë, por zyrtarët shpesh u rezistojnë kërkesave të medias. Gazetarët nga ana e tyre nuk u shkojnë deri në fund kërkesave të tyre dhe në përgjithësi nuk i njohin të drejtat e tyre ligjore.

Këshilli Kombëtar i Radio Televizionit vazhdoi të përballej me akuza për politizim në favor të qeverisë dhe personeli dhe fondet për të vazhduan të ishin të pamjaftueshme. Megjithatë, Këshillit iu shtuan të emëruar të opozitës, sipas një marrëveshjeje të vitit 2006.

Media në Shqipëri vazhdoi të paraqiste një larmi këndvështrimesh në vitin 2007, por organet kryesore patën prirjen të mbështesnin ose njërin grupim politik ose tjetrin. Gazetarët përdornin autocensurën për të mbështetur interesat politike ose ekonomike të punëdhënësve të tyre. OSBE-ja njoftoi se radio-televizionet e zbutën njëanshmërinë e tyre të zakonshme dhe bënë një pasqyrim të ekuilibruar para zgjedhjeve lokale të shkurtit megjithëse partitë e vogla nuk u pasqyruan sa ç’duhej dhe mbulimi u përqendrua tek personalitetet dhe jo tek politikat.

Rregullat për caktimin e reklamave dhe heshtjen zgjedhore para votimit nuk u respektuan.

Ndërkohë mbrojtësit e lirisë së shtypit vazhduan në vitin 2007 ta nxisin qeverinë që të mos ta quajë më vepër penale shpifjen, gjë që mund të çojë në një dënim maksimal prej dy vjetësh burgim. Megjithëse parlamenti nuk miratoi projekt-amendamentet në vitin 2005, Kryeministri Sali Berisha i urdhëroi zyrtarët e qeverisë atë vit që të përdorin të drejtën për të përgënjeshtruar, sesa të hapin çështje për shpifje, si reagim ndaj njëanshmërisë poltike, apo pasaktësive në media. Në vitin 2007 nuk pati njoftime për ndonjë çështje për shpifje.

Sipas raportit, mungesa e transparencës për pronësinë dhe financimet, e ekspozon median ndaj akuzave të pabazuara të ndikimit nga bota e krimit, ose motive të tjera. Radio-televizioni publik është përgjithësisht në favor të autoriteteve dhe personeli i tyre ndryshon sa herë që ndryshon qeveria.

Organet e medias së shkruar shpesh kanë lidhje të hapura me partitë politike ose grupet e interesave dhe praktikisht asnjëra prej tyre nuk janë në gjendje të mbijetojnë vetëm nga reklamat dhe abonimet. Televizionet kryesore kanë më shumë fitime, por ato ndjejnë presionin e kompanive kryesore që japin reklamat. Tregu i radiove mbizotërohet nga muzika dhe emisionet zbavitëse. Vetëm katër nga 40 stacionet japin lajme origjinale.

Shumë gazetarë në Shqipëri punojnë pa kontrata, duke shtuar pasigurinë për vendin e punës dhe duke inkurajuar auto-censurën. Të gjitha mediat kanë vështirësi të depërtojnë në zonat rurale, për shkak të infrastrukturës së dobët dhe problemeve ekonomike. Një gjë e tillë prek veçanërisht internetin, të cilin e përdor rregullisht afërsisht vetëm 13 për qind e popullsisë, thuhet në raport.

Lidhur me Kosovën, raporti thotë se sistemi i liçensimit të mediave atje është i komplikuar dhe jo koherent. Gjatë vitit të kaluar ka patur njoftime për një numër incidentesh dhune dhe shumë herë gazetarët janë ankuar se nuk janë lejuar të shfrytëzojnë burimet e informacionit publik. Shumica e mediave në Kosovë, thotë raporti, kanë patur vështirësi të mëdha financiare. Pavarësia redaksionale mbetet e dobët dhe media u nënshtrohet interesave të biznesit. Radiotelevizioni i Kosovës, thuhet në raportin e organizatës Freedom House është veçanërisht në mëshirën e interesave politike dhe ekonomike.

Në shkallë botërore, sipas raportit, gjendja e lirisë së shtypit në vitin 2007 u keqësua, me prirje më negative në vendet e ish-Bashkimit Sovjetik, të Azise dhe të Afrikës nënsahariane. Është i gjashti vit me radhë që liria e shtypit në botë pëson rënie. //ii

XS
SM
MD
LG