Lidhje

Rusi, Greqi, marrëveshje për tubacionin e gazit natyror


Rusia njoftoi se ka nënshkruar një marrëveshje me Greqinë për të zgjatur tubacionin e gazit natyror Rusi-Itali, me vlerë 15 miliardë dollarë, edhe në territorin grek.

Ministri rus i Energjisë, Viktor Kristenko, tha se marrëveshja u nënshkrua sot në Kremlin me zyrtarët grekë. Tubacioni i njohur si "Rryma Jugore", është parashikuar të transportojë 30 miliardë kub gaz në vit nga Rusia, nën Detin e Zi, përmes Bullgarisë dhe Greqisë deri në Italinë e jugut e pastaj në tregje të tjera perëndimore.

Degëzimi verior i tubacionit kalon përmes Rumanisë dhe Hungarisë dhe përfundon në Italinë veriore. Rusia nënshkroi një marrëveshje të ngjashme me Hungarinë në shkurt, duke ngjallur shqetësime tek analistët perëndimorë se tubacioni e bën Evropën tepër të varur tek furnizimet ruse me karburant.

Shtetet e Bashkuara dhe disa vende evropiane mbështesin një plan alternativ që gëzon përkrahjen edhe të Bashkimit Evropian, për tubacionin Nabuko, i cili kalon nëpër rajonin e Detit Kaspik e pastaj përmes Turqisë e Austrisë, duke e anashkaluar Rusinë.//lk

XS
SM
MD
LG