Lidhje

Pikëpyetje mbi kohën e publikimit të informacioneve për bashkëpunimin Siri-Kore e Veriut


Zyrtarët e zbulimit amerikan paraqitën javën e kaluar detaje të asaj që ata thonë se tregon ndihmën e Koresë së Veriut për Sirinë në veprimtarinë bërthamore. Siria i ka mohuar akuzat e Shteteve të Bashkuara se po zhvillonte një program të fshehtë bërthamor të armëve ose se po ndihmohej nga Pheniani. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Gary Thomas, koha e nxerrjes së këtyre zhvillimeve ka vënë në pikëpyetje motivacionin e publikimit të tyre.

Bashkëpunimi i dyshuar bërthamor mes Koresë së Veriut dhe Sirisë nuk është tamam një lajm i ri. Pas sulmit të fshehtë ajror izraelit që shkatërroi ndërtesën në Siri shtatorin e kaluar, Andrew Semmel, zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit për mos përhapjen e armëve bërthamore, tha publikisht se Shtetet e Bashkuara ishin të shqetësuara për aktivitetin bërthamor në Siri dhe sugjeroi se Damasku po merrte ndihmë nga Pheniani. Duke folur me gazetarët pa u identifikuar, zyrtarët të tjerë ishin edhe më specifik në informacionet e tyre.

Megjithatë, zyrtarët e zbulimit informuan anëtarët e Kongresit në hollësi për të gjitha këto, vetëm javën e kaluar. Dhe në një hap të pazakontë për komunitetin zakonisht sekret të zbulimit, ata informuan gjithashtu anëtarë të caktuar të medias.

Zoti Semmel, tani në pension, thotë se nuk e kupton se përse u desh kaq shumë kohë të dilte informacioni sidomos kur Kongresi ka kërkuar detaje për aktivitetin e Sirisë nga sulmi izraelit. "Kongresi dhe të tjerë i kanë kërkuar administratës që të sqaronte situatën ose të jepte më shumë informacione. Duke parë tani se çfarë ndodhi ndoshta mendohej se në një mënyrë ose në një tjetër komuniteti i zbulimit dhe të tjerë nuk mund ta mbanin këtë informacion më gjatë dhe kërkonin ta nxirrnin atë. Po i jap kësaj historie një përqasje pozitive në mënyrë që të mos ketë ndonjë deformim të madh të asaj që ka ndodhur në të vërtetë".

Zoti Semmel, i cili ishte ndihmës sekretar i shtetit për Politikat e Mospërhapjes së Armëve Bërthamore, thotë se mesazhi i agjencive të zbulimit mund t’i jetë drejtuar një ose disa vendeve. "Llogaritjet mund të kenë qënë se ky zbulim mund të dërgojë njëherësh disa mesazhe – mesazh për Iranin, mesazh sigurisht për Sirinë, për Korenë e Veriut etj. Ajo që nuk arrij të kuptojë është përse pritëm deri tani edhe për të informuar Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore. Më duket se në se donim që kjo agjenci të luante një rol pozitiv si monitoruese neutrale e situatës, atëherë duhet ta ndanim këtë informacion me ta, ndoshta me takt shumë më përpara".

Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore u infromua nga zyrtarët amerikanë vetëm javën e kaluar. Zoti Semmel thotë se kur ngriti idenë e njoftimit të agjencisë tek zyrtarët e Departamentit të Shtetit, ai ndeshi në një refuzim të prerë. "Kjo çështje u mbajt kaq e mbyllur saqë nuk e dije nëse në fakt po e ndanim informacionin me agjencinë bërthamore apo jo. Disa nga ne edhe në poste relativisht të larta ngritëm pyetjen në qarqet tona të kufizuara. Dhe nuk morrëm asnjë përgjigje. Kjo çështje nuk ishte për diskutim. Ishte një çështje e pashpjegueshme".

Murhaf Jouejati, specialist për çështjet e Lindjes së Mesme me origjinë siriane thotë se nxjerrja e këtij informacioni mund të synojë të sigurojnë epërsi me Korenë e Veriut në bisedimet gjashtë palëshe mbi programin e saj bërthamor. Ai mendon gjithashtu se synimi mund të jetë arritja e një marrëveshje të mundshme mes Izraelit dhe Sirisë lidhur me Lartësitë Golan, që mbahen nga Izraeli. "Ka një histori në këtë mes. Mesa duket administrata e presidentit Bush nuk do që Izraeli të angazhohet me sirianët por kërkon ti izolojë këta të fundit plotësisht. Dhe nga ana tjetër përsëri, këta elementë në administratë nuk kanë dashur për një kohë të gjatë që Korea e Veriut ta kalojë lumin kaq lehtë për aktivitetet e saj bërthamore. Këto dy skenarë më bindin. Cili ka më shumë peshë nuk e di. Por që të dyja kanë kuptim". Zoti Jouejati thotë gjithashtu se ndërsa Siria ka armë bilogjike dhe kimike, ajo nuk ka as paratë dhe as infrastrukturën për një projekt të kushtueshëm bërthamor. //rd//

XS
SM
MD
LG