Lidhje

Këshilli i Sigurimit dënon ashpër sulmin për vrasjen e presidentit afgan Karzai


Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara dënoi me fjalët më të ashpra përpjekjen e së dielës për vrasjen e presidentit afgan, Hamid Karzai, dhe zyrtarëve të tjerë në Kabul.

Me anë të një deklarate që bëri të hënën, Këshilli i Sigurimit vuri në dukje se talebanët morën përgjegjësinë për sulmin. Vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit theksuan nevojën për të nxjerrë para drejtësisë organizatorët e sulmit dhe përkrahësit e tyre.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së shprehu keqardhje për familjet e viktimave dhe për popullin e Afganistanit. Presidenti Karzai shpëtoi pa u dëmtuar.

Po të hënën, zëdhënësi i NATO-s, gjenerali Carlos Branco tha se përpjekja për vrasjen e presidentit afgan nuk ka ndryshuar planet e aleancës për transferimin e sigurisë së kryeqytetit tek Ushtria Kombëtare e Afgansitanit.

Zëdhënësi i NATO-s i tha Zërit të Amerikës se forcat afgane të sigurisë ishin plotësisht të afta për të vepruar menjëherë, pas sulmit të së dielës. Ai tha se Ushtria Kombëtare afgane dhe policia mund ta merrnin përsipër sigurinë e Kabulit që në muajin gusht.

NATO-ja dhe trupat amerikane e kanë udhëhequr luftën e Afganistanit kundër talebanëve që kur ekstremistët u rrëzuan nga pushteti në vitin 2001. (ze)

XS
SM
MD
LG