Lidhje

Barak Obama dënon me fjalë të ashpra ish pastorin e tij, Xheramajah Rajt


Kandidati demokrat për president, Barak Obama, dënoi me fjalë të ashpra ish pastorin e tij kontradiktor, Xheramajah Rajt, duke thënë se është i skandalizuar dhe i trishtuar nga komentet më të fundit të pastorit. Ndaj senatorit Obama u shtua presioni që ta distanconte veten nga zoti Rajt, pas komenteve që ky i fundit bëri gjatë ditëve të fundit.

Senatori Obama reagoi ndaj komenteve më të fundit të të përndershmit Rajt në një konferencë shtypi që mbajti dje në Karolinën e Veriut me shpresë për të mbyllur debatet që ka nxitur pastori me komente, të cilat kanë dëmtuar rëndë fushatën e senatorit.

“Jam i skandalizuar nga komentet e tij dhe i trishtuar nga spektakli që pamë të hënën. Kam qënë anëtar i kishës së Çikagos që nga viti 1992. E kam njohur të përndershmin Rajt për 20 vjet, por personi që pashë të hënën nuk është personi me të cilin u takova para 20 vjetësh”.

Duke vënë në dukje faktin se nëna e tij është e bardhë dhe i jati zezak nga Kenia, Senatori Obama tha se është përpjekur gjatë gjithë jetës së tij të sheshojë hendeqet racore dhe rajonale dhe t’i inkurajojë njerëzit të punojnë së bashku. Zoti Obama tha se mesazhi i të përndershmit Rajt synon të shfrytëzojë ndryshimet racore dhe se është krejtësisht kundër çdo gjëje që karakterizon fushatën e tij.

Në konferencën e djeshme për shrtyp, senatori Obama hodhi poshtë hapur deklaratat e pastorit, duke i quajtur ato ‘qesharake’. Ai shprehu veçanërisht zemërim ndaj komenteve të zotit Rajt, kur ai tha se senatori po e distanconte veten nga komentet e pastorit për qëllime politike.

“Nëse i përndershmi Rajt mendon se qëndrimi im ka qëllime politike, siç u shpreh ai vetë, atëhere mund të them se ai nuk më njeh mirë mua. Dhe duke u bazuar në komentet, që ai bëri të hënën, edhe unë mund të mos e njoh atë ashtu siç kisha menduar”.

Gjatë një fjalimi që mbajti para 2 javësh në Filadelfia, senatori Obama i dënoi komentet e të përndershmit, por tha se nuk mund ta mohonte atë pasi e kishte njohur për 20 vjet, ai kishte kryesuar ceremoninë kishtare të martesës së tij dhe kishte pagëzuar dy vajzat e tij. Por dje, zoti Obama tha se nuk mendonte më se e njihte mirë pastorin e tij të 20 vjetëve.

Me komentet e tij zoti Rajt ka bërë që senatori Obama ta largojë vemendjen nga çështje të rëndësishme të fushatës së tij si çmimet e naftës dhe çështje të tjera ekonomike, ndërsa ai bën fushatë në shtetet Indiana dhe Karolina e Veriut, ku pas një jave zhvillohen zgjedhjet paraprake. (ze)

XS
SM
MD
LG