Lidhje

Presidenti Bush mbi arsyet e publikimit të programit bërthamor sirian


Presidenti Xhorxh Bush thotë se provat e fundit që u janë paraqitur anëtarëve të Kongresit lidhur me bashkëpunimin bërthamor që sipas administratës ekzistonte ndërmjet Koresë së Veriut dhe Sirisë, synonin t’i dërgonin një mesazh të fortë të dyja këtyre vendeve. Në një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Bush foli edhe për operacionet e udhëhequra nga Natoja në Afganistan dhe çështje të tjera të politikës së jashtëme.

Për herë të parë këtë radhë Presidenti Bush bëri komente publike lidhur me publikimin e fotografive të objektit sirian javën e kaluar. Shtetet e Bashkuara pretendojnë se Siria po ndërtonte një central sekret bërthamor me ndihmën e Koresë së Veriut. Vitin e kaluar Izraeli e bombardoi këtë objekt. Presidenti Bush tha se synonte t’i bënte presion Koresë së Veriut të ndalte programin e saj bërthamor, ndërkohë që përpiqet të frenojë përpjekjet e Sirisë për të destabilizuar Lindjen e Mesme, akuza që Siria i ka hedhur poshtë.

Presidenti Bush i bëri komentet në një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Bardhë: "Së pari, për sa u përket koreano-veriorëve, dua ta bëj krejt të qartë se dimë për ta më tepër se ç’mendojnë ata, prandaj është me rëndësi që Pheniani bëjë publik jo vetëm aktivitetin me plutonium, por edhe përpjekjet në drejtim të përhapjes së armëve bërthamore dhe pasurimit të uraniumit."

Lidhur me misionin e udhëhequr nga Natoja në Afganistan, Presidenti Bush tha se ai po shënon suksese megjithëse parashikon se do të vazhdojë beteja kundër atij që e cilësoi si “një armik shumë i vendosur.” "Në Afganistan po arrijmë sukses. Por kjo s’do të thotë se operacionet po përfundojnë. Siç e kam përsëritur disa herë, ne jemi angazhuar në një luftë të gjatë kundër xhihadistëve. E vetmja mënyrë për t’i mposhtur përfundimisht është me përparimin e demokracisë."

Lidhur me temat e tjera, presidenti tha se ka shpresa se marrëveshja për paqe izraelito-palestineze do të arrihet para se ai të largohet nga Shtëpia e Bardhë në janar. Presidenti tha se grupi ekstremist Hamas, i cili kontrollon Rripin e Gazës, po minon përpjekjet e paqes në rajon: "Problemi qëndron tek Hamasi. Pa ndryshuar Hamasi, ose pa pasur një tjetër vizion në Lindjen e Mesme që Presidenti Abaz dhe kryeministri Fayad t’ia ofrojnë popullit palestinez, kemi edhe një arsye më tepër për t’u përpjekur të përkufizojmë ekzistencën e një shteti palestinez."

Presidenti Bush u përqendrua edhe në gjendjen e bllokuar politike në Zimbabve. Ai i bëri thirrje qeverisë së Presidentit Robert Mugabe të respektojë vullnetin e popullit. Presidenti tha se populli votoi për ndryshime në zgjedhjet e 29 marsit.

Partia e udhëheqësit të opizitës Morgan Tsvangirai siguroi kontrollin e Parlamentit, i cili ka qenë nën kontrollin e partisë në pushtet të zotit Mugabe. Rezultatet e zgjedhjeve presidenciale nuk janë bërë publike, por zoti Tsvangirai ka deklaruar fitoren dhe Shtetet e Bashkuara e kanë mbështetur këtë deklaratë. Presidenti Bush u bëri thirrje vendeve afrikane fqinje të ndihmojnë: "Është detyrë e vendeve fqinje të angazhohen, të flasin hapur për njohjen dhe respektimin e vullnetit të popullit të Zimbabvesë dhe ta kenë të qartë se një gjë e tillë duhet realizuar, pasi populli është ngopur me këtë udhëheqje të dështuar."

Presidenti Bush bëri thirrje gjithashtu t’i jepet fund asaj që e cilësoi si dhunë dhe fushatë frikësimesh të mbështetura nga qeveria ndaj anëtarëve të partisë opozitare. //ad//

XS
SM
MD
LG