Lidhje

Presidenti Topi i kthen për rishqyrtim parlamentit ligjin mbi legalizimet


Në Shqipëri, presidenti Bamir Topi i ka kthyer per rishqyrtim parlamentit ndryshimet e bëra në ligjin për legalizimet, i cili synon të rregulloje problemet e lindura me ndërtimet e shumta pa leje në të gjithë vendin.

Vendimi i kreut të shtetit pasoi kundërshtimet e forta që pati gjatë diskutimit në parlament ku u pozicionuan me kritika të qarta jo vetëm deputetët e opozitës por edhe një pjesë e të djathtës e kryesisht republikanët.

Pika kryesore e ndryshimeve kishte të bënte me kalimin e kompetencave të dhënies së titujve të pronësisë jo më njësive të pushtetit lokal por agjencisë së krijuar për legalizimet. Po ashtu, republikanët kishin deklaruar se ndryshimet e reja nuk garantonin shpërblimin financiar dhe brenda afateve për pronarët e ligjshëm. Edhe miratimi i ligjit me më pak vota se gjysma e parlamentit shkaktoi debate të tjera.

Kjo është hera e parë që presidenti Bamir Topi kthen pas një ligj të miratuar nga shumica, prej së cilës ai është zgjedhur në krye të shtetit.//lk

XS
SM
MD
LG