Lidhje

Kriza botërore e ushqimit


Një zyrtar i lartë i Kombeve të Bashkuara tha se shpreson që një ekip i formuar për të luftuar krizën botërore të ushqimit të përgatisë sa më shpejt një plan veprimi gjithpërfshirës. Zyrtari tha se entitete si Banka Botërore, Programi Botëror i Ushqimit dhe Organizata Botërore e Tregtisë do të punojnë që të zgjidhin probleme si pasiguria e ushqimit, prodhimet bujqësore, ndryshimet klimatike dhe tregtia. Raport i përgaditur nga kolegia Lisa Shlain.

Rreth 100 milion njerëz në botë vuajnë nga uria sepse nuk mund të paguajnë për ushqim. Por bashkërenduesi i ekipit të Kombeve të Bashkuara, John Holmes, tha se mund të gjenden zgjidhje dhe të krijohen mundësi të reja. Ai tha se kërkesa botërore për ushqim e kalon ofertën dhe kjo duhet të ndryshojë.

Gjithashtu ai tha se njerëzit e pranojnë se investimi në sektorin e bujqësisë në vendet në zhvillim ka munguar për një kohë të gjatë.“Mendoj se shumica e studimeve tregojnë se nëse e rrisim përfitimin në sektorin e bujqësisë në vendet në zhvillim, kjo është një mënyrë e shkëlqyeshme për të luftuar varfërinë dhe që zhvillimi ekonomik në këto vende të shënojë një rritje. Mos të harrojmë se shumica e njerëzve në botë jetojnë në zona rurale ku bujqësia është bazë kryesore e të ardhurave. Kështu që mendoj se kemi një mundësi të mirë për të korrigjuar gabimin që kemi bërë.”

Zoti Holmes thotë se ekipi që udhëheq ai do të shikojë çështje të ndryshme përfshirë këtu edhe subvencionet të cilat e ç’rregullojnë tregtinë dhe ndikojnë në rritjen e çmimeve. Ai thotë se çështja e karburanteve biologjike dhe roli i tyre në këtë krizë do jetë gjithashtu çështje e cila do të analizohet. Një çështje tjetër është edhe nevoja për të hulumtuar teknologji të reja në prodhimin e ushqimit si për shembull prodhimet e manipuluara gjenetikisht.

Zoti Holmes thotë se nuk është e mundur që të gjendet një plan për t’i gjetur zgjidhje krizës së ushqimit brenda natës por ai shton se ekziston mundësia që deri nga fillimi i qershorit të kemi një ide për takimin e nivelit të lartë të udhëheqësve botërorë që do të mbahet në Romë të Italisë. "Mendoj se është një objektiv mjaft ambicioz që të hartohet një plan në katër javët e ardhshme, kur fillon takimi. E përsëris se kjo nuk do të thotë se ne po bëjmë asgjë ndërkohë. Të gjitha nismat dhe veprimet për të cilat po flasim do të ndërmerren. Mendoj gjithashtu se ne duhet të sigurojmë që të rrisim importin nga bujqit në vendet në zhvillim për të stimuluar prodhimin këtë vit. Ajo që ne po mundohemi të bëjmë është që të sjellim të gjithë së bashku në një objektiv të përbashkët dhe që të gjithë të japin kontributin e tyre në këtë objektiv”.

Zoti Holmes thotë se rritja e çmimeve të ushqimit mund të bëhet një çështje për jetë a vdekje për dhjetëra miliona njerëz që ushqehen keq dhe që jetojnë me më pak se një dollar në ditë.//IB

XS
SM
MD
LG