Lidhje

Turistët amerikanë në Paris ndjejnë peshën e zhvlerësimit të dollarit


Me rritjen rekord të vlerës së Euros kundrejt dollarit, turistët amerikanë në Paris po e ndjejnë veten gjithnjë e më të varfër, nëse mund të shprehemi kështu. Turistët amerikanë që vizitojnë Europën janë ndër ata që i vuajnë ndjeshëm pasojat e rënies së dollarit. Brenda 5 muajve, Euroja është rritur rreth 20 cent në krahasim me paranë amerikane.

Dobësimi i dollarit mund të jetë gjë e mirë për eksportuesit amerikanë, por për turistët amerikanë që vizitojnë vende të tilla si Parisi ajo ka qenë traumatike. Një çift amerikan nga Montana thotë gjatë një lundrimi me anije mbi lumin Senë se ishin përpjekur t’a anulonin udhëtimin e tyre për Paris.

“Para dy muajsh u përpoqëm t’a anulonim udhëtimin për shkak të Euros, por do të na kushtonte para për të bërë anulimin, prandaj vendosëm të vinim.”

Një kamarier në kafenenë “Zhorzh V” në bulevardin Shanz Elize thotë se amerikanët kishin filluar të mos ishin aq të shkujdesur sa më parë për ushqimet që porositnin.

“Tani janë më të kujdesshëm, shikojnë çmimet dhe pastaj menynë. Ata kërkojnë menynë për të parë me saktësi se çfarë ofrojmë ne. Në të kaluarën ata porosisnin pa menduar gjatë. Çmimi nuk kishte shumë rëndësi.”

Edhe ata që punojnë në pikat e këmbimit kanë vërejtur një prirje të re: amerikanët shkojnë nga një zyrë kërmbimi tek tjetra duke negociuar për të gjetur kursin më të mirë për dollarin.

Gazetari Methju Kërtën shpjegon se rritja e vlerës së Euros kohët e fundit ka ndodhur për shkak të besimit se Banka Qendrore Evropiane nuk do t’i ulë normat e interesit të kredive.

Një lëvizje e tillë do t’i kishte nxitur tregëtarët t’i shitnin Eurot në kërkim të investimeve më fitimprurëse.

Prandaj, tani, amerikanët e klasës së mesme duket se do të jenë më të kujdesshëm për shpenzimet nëse duan t’i kalojnë pushimet në Evropë. //kk//

XS
SM
MD
LG