Lidhje

Veliaj: Partitë e vogla nuk janë parti monarkike, duhet të fitojnë në saje të aftësive


Me ftesë të Institutit "Open Society", një fondacion që ndihmon vendet e ndryshme të botës në realizimin e reformave demokratike, ndodhet këto ditë në Shtetet e Bashkuara Erion Veliaj, një nga themeluesit e Lëvizjes Mjaft, që tani kryeson Lëvizjen e re Politike G-99, apo Grupi 99. Zëri i Amerikës e intervistoi zotin Veliaj në programin televiziv “Ditari”.

Zëri i Amerikës: Cili është pozicionimi i lëvizjes suaj, Grupi-t 99, në politikën shqiptare?

Erion Veliaj: Besoj që aksioni më i madh politik që duhet ndërmarrë është politika e normalizimit i jetës në vend dhe nuk besoj që sot ka një hapësirë të madhe për të diskutuar për të majtën, apo për të djathtën. Ajo që ka qenë tema më e rëndësishme e këtyre viteve në Shqipëri ka qenë siguria e jetës dhe mënyra e papërgjegjshme me të cilën trajtohet aseti më i çmuar që kemi, që është jeta e qytetarëve tanë. Njerëzit vdesin në rrugë, njerëzit vdesin në miniera, njerëzit vdesin pranë një baze ushtarake, njerëzit vdesin në liqen dhe unë them që për të kthyer në vëmendjen e publikut disa nga këto çështje shumë të rëndësishme si shëndetësia, arsimi, jeta e qytetarëve më shumë duhen disa politika normale të rikthimit të normalitetit, sesa një diskutim për filozofinë e radhës. -

Zëri i Amerikës: Megjithatë, një lëvizje, ose një parti politike, në bazë të programit të saj elektoral anon nga e majta, nga e djathta ose në qendër. Cili është pozicioni juaj?

Erion Veliaj: Sot qeveria britanike është një qeveri e majtë laburiste, e cila është gati të privatizojë hekurudhat vetëm që të funksionojë më mirë transporti public, ndërkohë që qeveria franceze është një qeveri e djathtë me në krye Sarkozinë, i cili është gati të mbajë komunistat më të flaktë si Kushneri në qeveri, sepse kështu funksionon më mirë. Unë them që duhet të kthehemi në një politikë më normale. Me këtë qeveri aktuale jemi absolutisht në opozitë. Me këtë qeverisje të stilit të Gërdecit, ku makutëria dhe papërgjegjshmëria krijojnë një kombo të papranueshme për të qeverisur, jemi absolutisht në opozitë; por them që duhet të kemi më shumë nevojë për një frymë, që t’i kthejmë gjërat në normalitet, sesa për një betejë ideologjike, që po zhduket fundja-fundi kudo, edhe në botën perëndimore. -

Zëri i Amerikës: Pra, ju thoni se jeni në opozitë. Kritikët kanë thënë që lëvizja juaj rrezikon të shndërrohet në një aneks të Partisë Socialiste…

Erion Veliaj: Nëqoftëse do të kishim dashur të ishim një aneks i PS, do të kishim pranuar ofertat që na janë bërë nga Partia Socialiste ose nga parti të tjera të majta në të kaluarën. Fakti që po sigurojmë një aleancë qytetare me profesionistët më të mirë që ka sot Shqipëria: studentë, të rinj dhe të reja të një brezi që skabë të bëjë fare me të kaluarën në Shqipëri, na bën të ndryshëm. Unë them që zgjedhjet e ardhshme do të jenë të rëndësishme pikërisht për këtë arsye: do të votojnë për herë të parë 18 vjeçarë që kanë lindur në vitin 91, që nuk mbajnë mend as për radhën e qumështit, as arançatën me limontoz, as racionet me 100 gram sallam në muaj. Këtyre të rinjve ne duam që t’u përgjigjemi jo më me metodat e vjetra që “fajin e ka komunizmi, apo perandoria otomane”, këta të rrinj duan metoda të reja. Them që jemi një kalorësi e lehtë, pa bagazhin dhe pa barrën nga e kaluara. Kjo ndoshta na bën të ndryshëm nga partitë që ju përmendët, që gjithsesi i mbartin me vete disa nga problemet e së kaluarës dhe që unë jam shumë i inkurajuar kur i shoh që edhe ato po mendojnë në mënyrë progresiste dhe që po e pastrojnë partinë, apo partitë e tyre nga elemente, që ndoshta s'kanë qenë asetet më të mira të kombit tone në Parlament.

Zëri i Amerikës: Pra, ju do të keni ndryshim nga partitë e tjera ekzistuese. Po nga këndvështrimi i votuesit, cili do të jetë përfitimi për të pasur një parti tjetër të re për Shqipërinë?

Erion Veliaj: Unë them, që një votues është një punëdhënës, kjo do të thotë që njëherë në katër vjet merr në punë disa bashkëqytetarë të vet që të kujdesen për interesat e veta, ashtu si merret në punë një dado apo një kopshtar. Ndaj dhe kjo them që është gjëja e pare që duhte vendosur. Zgjedhjet e ardhshme janë momenti i punësimit, vijnë disa njerëez me CV-të e tyre, vjen CV-ja e atij që rrahu gjyqtarin në stadium, vjen CV-ja e atij që rrahu gazetarin, do të vijë dhe CV-ja jonë që rrahim idetë dhe mendimet. Kështu që midis këtyre, është detyra e publikut të zgjedhë CV-në e atij që i mbaron më shumë punë, ose që mund të menaxhojë shqetësimet e veta më të mëdha.Them që në pesë vitet e fundit, jo vetëm si aktivist i lëvizjes “Mjaft”, por edhe si shumë aktivistë të tjerë të G-99 kanë demonstruar që kanë një përkushtim të sinqertë për këto çështje dhe kur nuk kishin pushtet dhe nuk administronin atë kartonin jeshil të Parlamentit. Ajo që po i themi këtyre qytetarëve, është që ndoshta, disa nga punë të këtij shteti mund t’i bëjmë më mirë sesa fjala vjen, 10 përqind e këtij Parlamenti, që përbëhet nga ish-bodigardë. Për të vendosur këtë balancë ky akt punësimi që bëhet me anë të votes, duhet të ndodhi në mënyrë transparente dhe mendoj që Kodi i ri Zgjedhor e garanton këtë gjë. -

Zëri i Amerikës: Në kushtet kur politika shqiptare dominohet nga dy partitë e mëdha, PS dhe PD, partitë më të vogla janë ankuar vazhdimisht se nuk i dëgjohet zëri në politikën e vendit. Cili është komenti juaj lidhur me ndryshimin që u miratua kohët e fundit në Kushtetutën e Shqipërisë mbi sistemin proporcional dhe mbi shqetësimin që kanë partitë e vogla, se nuk do të dëgjohet më zëri i tyre në Parlamentin e Shqipërisë?

Erion Veliaj: Dua të bëj një sqarim të vogël. Jo të gjitha grupimet e reja apo të gjitha partitë e vogla janë ankuar. Zakonisht ankohen vetëm partitë një njihen si parti me pronarë që njihen si të tilla në Shqipëri, zakonisht një ish-kryeministër, ose një ministër i inatosur që krijon një parti të re dhe e përdor si një korporatë politike private, këta janë ankuesit më të mëdhenj. Unë them që kushtetuta e Shqipërisë, Republika jonë, duhet të garantojë të drejtën e çdo qytetari për t’u përfaqësuar, por jo të drejtën e çdo partie për të ekzistuar. Marrim rastin e Amerikës, Partia e Gjelbër e Ralph Nader-it nuk e kalon pragun, nuk është fundi i botës, por ama garantohet e drejta e qytetarëve dhe jo e drejta e partive. Këto parti ishin mësuar që për njëzet vjet Kushtetuta e Republikës sonë u garantonte të drejtën e tyre për ekzistencë, të drejtën e tyre për të qenë ministra, por këto nuk janë të drejta kushtetuese. Kështu që tani të paktën, gara është e hapur, secili ka korsinë e vet, mund të vrapojë më shpejt ai që është më i shkathët dhe më i aftë, por ama u eliminua koncepti i "të fortit" nga politika. Pjetër Arbnori vetë, apo njerëz të tjerë të shquar nuk futeshin dot në Parlament, sepse dikush tjetër ishte më i fortë dhe më i pasur dhe i nxirrte nga politika. Tani “incentiv-i” për këta të fortë është më e vogël, rajonet janë më të mëdha. Nuk mund të korruptosh apo të intimidosh me armë pesëqind mijë njerëz, ashtu siç mund të bëje me 5 mijë njerëz. Partitë e vogla duhet të kuptojnë që nuk janë parti monarkike por duhet të fitojnë këtë të drejtë ekzistence me anë të aftësive të tyre. Ne si lëvizje e re nuk kemi asnjë problem me një ligj, i cili i vë njerëzit në garë me ekipet e tyre më të mira. Duhet të jemi të sinqertë edhe për diçka tjetër, këto parti të vogla që ankohen tani për lista të hapura, fundja fundit kurrë s'i kanë pasur listat e hapura. Gjithmonë kryetari, apo pronari i partisë dhe dy shokët e vet kanë qenë të parët në listë dhe vetëm plebenjtë e tjerë dhe indigjenët ishin ata që garonin. Ky standard i dyfishtë është anormal. Dhe e fundit ka një dopio standard tjetër për çështjen e ndryshimit të Kushtetutës. Janë po këto parti të vogla, kryetarët apo pronarët e të cilave hipin mbi tryezën e parlamentit, gati për ta mbytur Kryetaren e Parlamentit, kur vinte puna për ta ndryshuar kushtetutën për interesat e tyre, siç ishte KQZ-ja në para dy vjetësh, ama që përdorin një dopio-standart dhe tani i thonë popullit “pse nuk merr pjesë o popull?” Kjo mban erë padrejtësi dhe them që duhet ndryshuar.

Zëri i Amerikës: A po përgatitet lëvizja juaj që të marrë pjesë në zgjedhjet e 2009 dhe çfarë vështirësish mendoni se do të hasë ajo?

Erion Veliaj: Them që problemet më të mëdha kanë të bëjnë me çështjen e infrastrukturës zgjedhore. Tani që të paktën rregullat e lojës u vendëson, që portat dhe vijat janë njësoj, regjistrimi i votuesve, apo kartat e identitetit janë absolutisht të nevojshme. Mund t’i kesh rregullat e lojës po për sa kohë që nuk dihet se kush janë lojtarët është e pamundur. Por beteja më e madhë është për zemrat dhe mendjet e njerëzve për t’ju treguar që Shqipëria mund të bëhët dhe që do t’ja dalim. Në mes të një oqeani me skepticizëm, ku thonë që ky vend nuk ka për të dalë ndonjëherë nga tranzicioni, unë them që në 2009 kemi një mundësi fantastike për një kthesë të madhe dhe për të mbyllur një here e përgjithmonë, ndoshta këtë kapitull më të trishtë të epokës moderne të Shqipërisë.//lk

XS
SM
MD
LG