Lidhje

Evropiano-Lindorët më mosbesues tani sesa pas rënies së komunizmit


Studiuesit kanë arritur në përfundimin se në vendet ku besimi social është i lartë, krimi dhe korrupsioni janë në nivel më të ulët. Sipas një studimi të kohëve të fundit të Projektit për Prirje Globale të qendrës studimore Pew në Evropën Lindore besimi ka rënë krahasuar me periudhën menjëherë pas rënies së komunizmit, ndoshta edhe për shkak të faktit që në atë kohë entuziazmi ishte i pazakontë.

Sondazhi që u krye në 47 vende të botës, përfshinte një rreze të gjerë çështjesh, përfshirë pikëpamjet për cilësinë e jetës, institucionet dhe globalizmin. Të anketuarit u pyetën nëse i besonin njerëzit e tjerë në shoqërinë e tyre. Shkalla e besimit ndryshonte shumë në vende të ndryshme. Për shembull 79 për qind e njerëzve në Kinë thonë se e besojnë njëri-tjetrin, ndërsa në Kenia vetëm 25 për qind kanë besim.

“Ajo që binte në sy ishte lidhja mes besimit dhe korrupsionit, si edhe mes besimit dhe perceptimit të krimit si probleme të mëdha në një vend”.

Richard Wike, është nëndrejtor i Projektit për Prirjet Globale dhe autori kryesor i studimit. Evropa Lindore ishte një rast aq interesant në studim, saqë autorët e veçuan në publikimin e tyre.

“Ne arritëm në përfundimin se besimi ishte relativisht i ulët në vendet e Evropës Lindore ku ne kryem anketa. Ne kishim kryer një sondazh edhe në vitin 1991 në disa vende evropiano-lindore dhe vumë re se në vendet që shkuam përsëri këtë vit dhe pyetëm për shkallën e besueshmërisë, përgjithësisht ajo është më e ulët sesa në vitin 1991”.

Shkaqet mund të jenë të ndryshme, që nga zhvillimet brenda vendeve e deri tek fakti që besimi i lartë dhe entuziazmi i viteve 1990 pas rënies së komunizmit, mund të ketë qenë i pazakontë.

Në Rusi, Poloni, Ukrainë, Bullgari dhe Sllovaki dhe Republikën Çeke, vendet ish-komuniste ku u krye sondazhi, më shumë se gjysma e të anketuarve thotë se problemi i korrupsionit të udhëheqësve është shumë shqetësues. Në studimin e Qendrës Pew, interesant është fakti që është marrë në konsideratë edhe besimi mes vetë njerëzve, jo vetëm tek klasa politike.

“Sipas përfundimeve tona këto dy gjëra janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën statistikisht. Pra vendet ku ka një nivel të ulët besimi, kanë shumë shqetësime për korrupsionin politik dhe nuk ka dyshim që shqetësimi për korrupsionin politik është veçanërisht i lartë në vendet e Evropës Lindore”.

Një nga studimet më të rëndësishme të Projektit për Prirjet Globale të qendrës Pew, është mënyra sesi bota i sheh Shtetet e Bashkuara. Megjithëse Amerika shihet në dritë më pozitive në Evropën Lindore në krahasim me Evropën Perëndimore, hendeku mes këndvështrimeve të tyre është ngushtuar kohët e fundit.

“Evropa Lindore po fillon t’i ngjajë gjithnjë e më shumë Evropës Perëndimore për mënyrën sesi i shikon Shtetet e Bashkuara dhe pikëpamjet e tyre në favor të Amerikës, kanë rënë në disa pjesë të Evropës Lindore vitet e fundit”.

Studimet e Qendrës Studimore Pew, ndiqen me interes mes së cilave demokracia, kultura dhe globalizimi. //kk//

XS
SM
MD
LG