Lidhje

Shprehja e nacionalizmit kinez në prak të Lojrave Olimpike


Kinezët, në mbarë botën, po shprehin përherë e më tepër pakënaqësi ndaj atyre që ata i shohin si kritika perëndimore ndaj Kinës në prag të Lojërave Olimpike të Pekinit.

Deri tani, Franca ka mbajtur peshën kryesore të zemërimit të kinezëve, sidomos pas kalimit të Pishtarit Olimpik në Paris në fillim të prillit, ngjarje që u prit me protesta kaotike. Incidenti më i bujshëm i asaj dite ishte ai me një kineze në karrigen e invalidi, e cila u mbajt pas pishtarit në shenjë solidariteti me vendit e vet, ndërsa një përkrahës i demonstratave të Tibetit përpiqej ta largonte atë me forcë.

Fundjavën e kaluar, mijëra kinezë në qytetet e mbarë vendit, protestuan para kompanise gjigande franceze të shitblerjeve, Karfur, që ka 122 filiale në Kinë. Disa blerës thanë se do ta mbështesnin një bojkotim të kësaj kompanie franceze.

"Do t’i bashkohem bojkotit, sepse në Perëndim ka shumë njerëz që nuk kanë ndjenja miqësore ndaj Kinës", thotë ky blerës.

Mijëra kinezë në qytete të mbarë botës, kanë zhvilluar demonstrata, ku kanë kritikuar atë që ata konsiderojnë një pasqyrim jo të drejtë të shtypit për Kinën, si dhe për të shprehur mbështetjen e tyre ndaj Lojrave të Pekinit.

Nacionalistët kinezë e kanë ngritur me forcë zërin, sidomos pas shpërthimit të demostratave të përgjakëshme në kryeqytetin tibetian Lhasa muajin e kaluar. Kaosi në Lhasa erdhi pas disa ditë protestash paqësore kundër masave shtypëse të Kinës në Tibet.

Nacionalizmi kinez është fuqizuar sidomos nga zemërimi i publikut në lidhje me protestat që shoqëruan Pishtarin Olimpik jashtë vendit. Demonstruesit e kanë kritikuar qëndrimin e Kinës ndaj të drejtave të njeriut, shtypjen e demostratave në Tibet dhe marrëveshjet e Pekinit me disa qeveri autoritare.

Tani, me përhapjen e demontratave prokineze, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze, Gjiang Y thotë se protestuesit janë të vendosur t’i mbrojnë interesat kombëtare të Kinës.

Melinda Liu, presidente e Klubit të Korrespondentëve të huaj të Kinës dhe korrespondente e revistës “Newsweek” për Kinën, jep një shpjegim të ndryshëm. Ajo është e mendimit se zemërimi i tanishëm i kinezëve është rezultat i kontrollit të medias nga shteti.

"Kjo shprehje e hapur e nacionalizmit që po shohim, është pjesërisht trashëgimi e censurës së ushtruar nga qeveria, e kontrollit ndaj internetit, dhe shtypit".

Në përpjekje për të mos dhënë pështypjen se po i kundërvihet publikut, qeveria kineze ka mbajtur një qëndrim relativisht të butë ndaj demonstruesve nacionalistë. Analisti Russell Leigh, në Pekin, thotë se ky zell mund të bëhet i rrezikshëm, në se lejohet të vazhdojë për një kohë të gjatë.

"Qeveria po merr përsipër, që të mos i shtypë këto demonstrata, sepse ato që tani shihen si protesta kundër forcave të huaja, shumë lehtë mund të marrin një tjetër nuancë, dhe njerëzit të thonë “Përse Kina si qeveri nuk po i kundërshton ato më me forcë?"

Një tjetër pikëpyetje, është në se nacionalizmi ekstrem do të ketë ndikim tek Lojërat Olimpike. Daniel Bell, profesor filozofie në Universitetin Çinghua të Pekinit, thotë se shpreson që ndjenja nacionaliste e kinezëve do të zbutet para Lojërave Olimpike të gushtit.

"Nuk shpresoj që ajo të zgjasë shumë. Të paktën shpresoj se kur të fillojnë Olimpiket, do të bëhen shumë më tepër përpjekje për të krijuar një imazh të mirë para botës, për t’i pritur mirë të huajt dhe për t’u treguar të civilizuar ndaj tyre".

Zoti Bell thotë se do të dëshironte të shikonte theksimin e fushatave për sjellje të qytetëruar në kuadrin e Olimpikeve, si ato në Pekin para trazirave në Lhasa.

Rebecca MacKinnon, lektore e gazetarisë në Universitetin e Hong Kongut dhe ish-shefe e CNN-it për Hong Kongun, thotë se, edhe pse Kina ka tani një vizion më miqësor, dëmi që mund të jetë shkaktuar mund të jetë më i thellë dhe ai mund të zgjasë për një kohë më të gjatë.

"Kur të përfundojnë Lojërat Olimpike, Kina krahas me publikun e saj, mund t’i largohen më tej Perëndimit dhe madje mund të përfundojmë me një hendek të ri mes tyr".

Profesoresha thotë se kjo ka të bëjë me forcimin e mëtejshëm të perceptimeve të kundërta që kanë për njëra tjetrën të dyja palët. //iç//

XS
SM
MD
LG