Lidhje

Gueheno: Nuk do të ketë përplasje OKB – BE rreth Kosovës


Zëvendësi i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Jean Marie Guehenno, tha sonte në Prishtinë se nuk ka asnjë mundësi përplasjeje ndërmjet Kombeve të bashkuara dhe Bashkimit Evropian rreth Kosovës.

Zoti Gueheno arriti sot pasdite në Kosovë në një mision faktmbledhës, në periudhën e shtimit të debateve rreth pranisë së ardhshme civile ndërkombëtare në Kosovë. Ai tha se udhëtimi I tij ndodhë në një periudhë kur ka shumë thashetheme e ide kundërthënëse, prandaj sipas tij është me rëndësi që të dëgjohen nga dorë e parë vlerësimet për gjendjen në mënyrë që UNMIK-u të luaj rolin konstruktiv për të ruajtur qëndrueshmërinë në Kosovë dhe në Ballkan. Ai tha se aktualisht po debatohet në vazhdimësi në Këshillin e Sigurimit, në Kosovë dhe në Bashkimin Evropian për rrugët e përshtatshme për ruajtjen e paqes e qëndrueshmërinë dhe zbatimin e rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Pas 15 qershorit, kur hyn në fuqi Kushtetuta e Kosovës, Misioni I Kombeve të Bashkuara që administron Kosovës që nga përfundimi I luftës do të duhej të largohej duke I kaluar përgjegjësitë tek institucionet vendase dhe misioni i ri i Bashkimit Evropian.

Por, ky mision kundërshtohet nga Beogradi dhe Moska zyrtare. Kjo ka bërë që edhe më tej të mbetet i paqartë roli i UNMIK-ut në të ardhmen dhe mundësia e përplasjeve edhe të vetë pranisë civile ndërkombëtare. “Nuk mund të përfytyrojë ndonjë konflikt. Kombet e Bashkuara veprojnë në bazë të Rezolutës 1244”, tha zoti Gueheno duke hedhur poshtë çdo mundësi që Misioni i Kombeve të Bashkuara të veprojë në pjesë të caktuara të Kosovës. “Kombet e Bashkuara janë të pranishme në tërë Kosovën dhe mandati i misionit të tyre përfshinë tërë Kosovën”, tha zoti Gueheno i cili drejton Departamentin për Operacione Paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara. Ai tha se organizata e tij dëshiron të lërë prapa trashëgiminë e paqes dhe qëndrueshmërisë në Ballkan.

Në këtë periudhë thelbësore duhet të shmanget çdo situatë që prish drejtpeshimin dhe të punohet për krijimin e themeleve për një zhvillim ekonomik, tha zoti Gueheno i cili nesër pritet të vizitojë veriun e vendit, skenë e kundërshtimeve të ashpra të pjesëtarëve të komunitetit serb ndaj pavarësisë së Kosovës. Vizita e tij ndodhë në një periudhë kur një ekip i hetuesve të Kombeve të Bashkuara po heton ngjarjet e 17 marsit, kur një polic ndërkombëtarë humbi jetën dhe dhjetëra të tjerë u plagosën gjata trazirave të dhunshme.

Ekipi po heton edhe procedurat që janë ndjekur nga UNMIK-u atë ditë e të cilat quan në përplasje të ashpra ndërmjet zëvendës shefit të UNMIK-ut Lary Rossin dhe administratorit të Mitrovicës Gerard Gallluci. Zoti Guehenio pas Kosovës pritet të shkojë në Beograd, zyrtarët e të cilit kërkojnë mbetjen e UNMIK-ut në Kosovë. Në Prishtinë ndërkaq pohohet se janë plotësuar të gjitha kushtet që ky mision të marrë fund më 15 qershor. //rd//

XS
SM
MD
LG