Lidhje

Gazetarët pa Kufij: Gazetarët kërcënohen edhe në vendet e Bashkimit Evropian


Raporti vjetor i organizatës Gazetarët pa Kufij që botohet në Ditën e Lirisë së Shtypit, përqendohet në rreziqet që ndeshin gazetarët në disa vende të BE-së. Gazetarët pa Kufij analizon lirinë e shtypit në gjithë rajonet e botës dhe përqendohet në 98 vende, Shqipëria dhe Kosova nuk janë mes tyre.

Raporti vë në dukje se në vendet e Bashkimit Evropian ekziston liria e mirëfilltë e shtypit. Por në të vihet në dukje me shqetësim se sulmet ndaj gazetarëve, tentativat për vrasje nga grupe të ndryshme që nuk kanë lidhje me qeverinë, sulmet dhe ngacmimet e familjeve të gazetarëve ende janë fenomene që ndeshen edhe në vendet e Bashkimit Evropian. Zëdhënësi i organizatës Gazetarët pa Kufij, Zhan Fransua Zhillard i tha Zërit të Amerikës se gazetarët janë më të rrezikuar në Spanjë dhe në Itali.

"Në rajonon Bask të Spanjës, gazetarët punojnë nën mbrojtjen e policisë dhe shumë prej tyre kanë qënë të detyruar të largohen nga kjo zonë e vendit për të vazhduar punën në Madrid ose në qyete të tjera të mëdha të Spanjës për të shmangur kërcënimet e organizatës terroriste ETA. Në Itali gjendja është shumë e tensionuar në Siçili dhe në rajone të tjera jugore të vendit për shkak të veprimtarisë së Mafias. Shumë gazetarë që duan të ekspozojnë punën e mafias marrin në sy reziqe dhe një prej tyre i shpëtoi për mrekulli vdekjes gjatë një sulmi. Nën makinën e tij ishte vënë një bombë dhe për fat të mirë plicia e zbuloi atë para se ai të hipte në makinë”.

Zoti Zhillard thotë se gazetarët në vendet e reja anëtare të Bashkimit Evropian si Bullgaria, Romania, Hungaria, Republika Çeke dhe Qiproja kanë qënë më të rrezikuar se ata në vendet e vjetra të BE-së. Ashtu si në Spanjë dhe Itali, janë grupet kriminale të tipit të mafias apo grupet ultranacionaliste që i kryejnë sulmet.

Organizata Gazetarët pa Kufij thotë se në disa vende janë parë prirje regresive. Në Francë për shembull, gazetarët janë atakuar fizikisht kur kanë mbuluar trazirat më lagjet periferike, veçanërisht në Paris. Që nga trazirat e nëntorit të vitit 2005, një numër fotografësh, kameramanësh dhe gazetarësh janë keqtrajtuar fizikisht. Deri atëhere gazetarët ishin në rrezik vetëm në Korsikë.

Zoti Zhillard vë në dukje se edhe atje ku liria e shprehjes është praktikë e njohur, gazetarët mund të gjendjen në presion politik dhe ekonomik. Ai dha si shembull një gazetë të përjavëshme franceze që u detyra të tërhiqte një artikull rreth ish bashkëshortes së Presidentit, Nikola Sarkozi.

"Ne e dimë se artikulli u tërhoq për shkak të presionit të ushtruar nga pronari i gazetës, i cili është mik i ngushtë i Nikola Sarkozit, pra ky akt kishte lidhje jo vetëm me presionin politik por edhe presionin ekonomik, sepse nuk ishte drejt për drejt nga shteti por nëpërmjet pronarit të gazetës”.

Organziata Gazetarët pa Kufij ndjek edhe rastet kur gazetarët vihen në shënjestër nga grupet fanatike fetare. Karikaturisti danez, i cili vizatoi një skeç të profetit Muhamed në vitin 2006 ishte në shënjestër për t’u vrarë, por zbulimi danez i ra në gjurmë komplotit në fillim të këtij viti. Tani karikaturisti është i detyruar të jetojnë nën mbrojtjen e shërbimit sekret danez, duke ndërruar banesën çdo dy javë. Në Irlandën e Veriut, kërcënimet për veprime dhune kundër gazetarëve hetues vazhdojnë, megjithë arritjen e marrëveshjes së vitit 2007 që i dha fund dhunës sektare dhe krijimit të qeverisë rajonale, në të cilën ndajnë pushtetin republikanët katolikë dhe unionistët protestantë. //iç//

XS
SM
MD
LG