Lidhje

Shqipëria dhe mediat


Shqipëria ka dhjetra gazeta, televizione dhe radio private. Një treg vërtet i gjallë i medias por, siç thonë analistët, i hapur për dyshime. Arësyeja kryesore? Mungesa e transparencës në pronësinë dhe në financimin e tyre.

Jetojmë në një botë të përmbytur nga informacioni. Kush e financon CNN-in apo rrjetet e tjera televizive si ABC, CBS apo NBC në Amerikë? Reklamat dhe abonimet. Me fjalë të tjera, këto televizione janë biznese më vete dhe financiarisht transparente.

Le të përpiqemi të bëjmë një krahasim me median në Shqipëri. Një raport i fundit i organizatës Freedom House këtu në Uashington, e ve theksin mes të tjerash te mungesa e transparencës në financimin e medias. Ne biseduam me Drejtorin e Institutit shqiptar të Medias, Remzi Lani, një analist me përvojë nga Shqipëria, i cili ndodhej këto ditë në Uashington. "Sigurisht është një problem çështja e transparencës në media, e trasparencës së pronësisë dhe investimeve, sidomos kjo e dyta. Nuk është problem vetëm i Shqipërisë por i gjithë Lindjes. Por në rastin e Shqipërisë, çështja e transparencës së medias duhet parë në kontekstin e transparencës në përgjithësi. Ne flasim për një skenë jo transparente të medias por pyetja që unë shtroj është se a kemi një skenë politike transparente? Nga financohen partitë politike, si financohen ato? Sa i tregojnë xhepat partitë politike? Nuk më duket se kjo ndodh".

Biznesi mund të përshëndetet për investimet që ka bërë në median shqiptare por për fat të keq disa pronarë i përdorin mediat që të mbrohen nga gjobat dhe nga gjyqet për shkelje ligjore. Këta pronarë sulmojnë me mediat e tyre ata qeveritarë që nuk i favorizojnë, i përdorin mediat për të sulmuar kompanitë rivale. Po nëse nuk do të ishte ky lloj financimi, a do të jetonin dot mediat në Shqipëri si biznese më vete? Vështirë, thotë zoti Lani. "Ne nuk kemi një treg të medias funksional madje nuk kemi një treg të vërtetë të medias por një treg kaotik, të paqendrueshëm, të varfër".

Në Shqipëri tregu është i vogël dhe reklamat të kufizuara, një premisë jo e favorshme për pavarësinë e mediave. "Shqipëria ka një treg reklamash prej vetëm 21 milion eurosh ose sa një e dhjeta e Kroacisë. Por çështja është që ky treg duhet të funksionojë si treg, përndryshe do të kemi një media që do të jetë e detyruar të luajë në mes të biznesit dhe politikës".

Rezultati? Lidhjet e medias me partitë politike ose me grupe të tjera të interesit janë shpesh të hapura. Dhe është gazetaria ajo që paguan çmimin. "Ne kemi një gazetari që është gazetari politike. Kjo lidhet edhe me shkallën e lartë të politizimit që ka shoqëria shqiptare lidhet edhe me faktin që shumë probleme të shoqërisë shqiptare ende varen nga zgjidhjet politike". Megjithatë, thotë zoti Lani, krahasuar me 10 vite më parë, në komunitetin e gazetarëve janë pakësuar pasionet politike. Kjo është e rëndësishme dhe tregon se ata po ndërgjegjësohen. Por mungesa e transparencës ende rëndon mbi mediat duke i mbajtur ato të varura nga biznesi dhe politika. //rd//

XS
SM
MD
LG