Lidhje

Sistemi amerikan i vizave, pengesë për tërheqjen e talentit global


Krerët e bizneseve të Nju Jorkut thonë se sistemi amerikan i vizave përmban aq shumë kufizime saqë ky qytet po humbet mjaft në krahasim me qytetet tjera për sa u përket talenteve të reja nga bota. Grupi i biznesit Partneriteti për qytetin e Nju Jorkut thotë se frika e sigurisë dhe debati politik për imigracionin ka sjellë kufizime shtesë në numrin e vizave për të tërhequr të huaj me aftësi të veçanta.

Njujorkezëve u pëlqen të thonë se qyteti i tyre është një përzierje e të gjithë botës. Por kur bëhet fjalë për tërheqjen e talenteve të reja në këtë vend, krerët e biznesit në Nju Jork thonë se qyteti po e humbet pozitën e tij globale. Ata ia vënë fajin politikës amerikane të imigracionit, e veçanërisht numrit të kufizuar të vizave H-1B që u jepen çdo vit kompanive të cilat duan të sjellin talente të reja për të punuar në Shtetet e Bashkuara. Këtë vit, qeveria do të japë 85 mijë viza H-1B. Kërkesa ishte aq e lartë saqë e gjithë kuota u mbush që ditën e parë që u hapën aplikimet me 1 prill.

Në vitin 2007 pati mbi 150 mijë kërkesa. Kethrin Uailld udhëheq organizatën Partneriteti për qytetin e Nju Jorkut. Ajo thotë se perceptimet e gabuara bëjnë që Shtetet e Bashkuara të humbin rastin për të tërhequr talente nga i gjithë globi. “Kur bëhet fjalë për vizat, ne na duhet të luftojmë mitin se krahu i punës në vend mund të zërë vendet e punës së atyre që vijnë me viza H1-B apo viza të tjera profesionale. Por kjo nuk është e vërtetë.”

Organizata e partneritetit thotë se talentet globale ndihmojnë në hapjen e tregjeve të reja jashtë vendit për kompanitë nga Nju Jorku, sjellin në qytet njerëz me të ardhura të larta dhe ndihmojnë në krijimin e vendeve të punës për njujorkezët e zakonshëm. Rajoni i Nju Jorkut ka numrin më të madh të aplikantëve për viza H1-B dhe kjo organizatë biznesi kërkon nga kongresi që të rrisë numrin e vizave për të pasqyruar realitetin e tregut. Fushata ka mbështetjen e kompanive të rëndësishme si gjigandi i aluminit Alkoa, në Park Avenue.

Zëdhënësi i Alkoas, Kevin Loueri thotë se kompania ka humbur talente për shkak të kufizimeve. “Ka shumë industri që e kanë bërë këtë, dhe i kanë lëvizur punonjësit e tyre nga Shtetet e Bashkuara në Londër. Por kjo nuk mund të vazhdojë dot për shumë kohë.”

Në Amerikë ka reagime të fuqishme kundër imigracionit në rritje. Shtetet e Bashkuara janë në mes të një ngadalësimi ekonomik, me rritjen e papunësisë gjatë këtij viti zgjedhjesh. Mark Kerkorian është kreu i një organizate lobiste të quajtur Qendra për Studimet e Imigracionit. Ai thotë se dhënia e vizave H1-B është një mënyrë për të sjellë në Shtetet e Bashkuara krah të lirë pune. “Punonëtorët e huaj fitojnë më pak dhe kanë aftësi të një niveli më të ulët se sa punëtorët amerikanë në të njëjtat rajone të vendit, prandaj kjo është pa dyshim vizë për krah të lirë pune.”

Udhëheqësit e biznesit në Nju Jork e hedhin poshtë këtë konstatim dhe thonë se për çdo të huaj që hyn në Shtetet e Bashkuara me vizë H1-B, krijohen pesë vende pune për amerikanët. Ata thonë se ndërsa Evropa dhe Azia po e rrisin numrin e vizave për të huajt e talentuar, Nju Jorku nuk duhet të mbetet pas. //ad//

XS
SM
MD
LG