Lidhje

Ç'po ndodh me çmimet e naftës?


Që nga fillimi i këtij dhjetëvjeçari, çmimet e naftës gati janë trefishuar. Kjo rritje ka shkaktuar vështirësi te konsumatorët në vendet importuese të naftës ndërkohë që vendet që eksportojnë kanë shënuar fitime rekorde.

Amerikanët nervozohen gjithnjë e më shumë sa herë që blejnë benzinë. Çmimi i i benzinës u rrit 6 centë vetëm gjatë javës së fundit dhe tani është mbi 50 përqind më shtrenjtë se para një viti. Ray Carbone ekzekutiv i një kompanie energjitike në qytetin e Nju Jorkut, thotë kjo mund të shpjegohet me tri fjalë: oferta dhe kërkesa. ”Kërkesa nga Azia edhe pse më e ulët se një apo dy vjet më parë tregon se Shtetet e Bashkuara nuk janë më faktori kryesor që e përcakton atë".

Megjithë rritjen e shfrytëzimit të benzinës karteli më i madh i naftës në botë OPEKU, i ka rezistuar thirrjeve për të rritur prodhimin. Vendet anëtare të këtij karteli nuk ndihen fajtorë për rritjen e çmimit sepse siç thonë ata, rritja e furnizimit nuk do të zgjidhte problemin e rritjes së çmimeve. "Çmimi nuk ka lidhje me ofertën dhe kërkesën. Çmimi përcaktohet nga faktorë të tjerë dhe OPEKU nuk do të ngurronte të rritë prodhimin nëse ne do të besonim se mungesa e naftës po ndikon në rritjen e çmimit, thotë Abdullah Al Badrim, sekretar i përgjithshëm i OPEKUT".

Por kush ka të drejtë në këtë debat: tregtuesit e energjisë apo OPEKU? Sipas Steve Hankes, profesor i ekonomisë në universitetin Johns Hopkins, të dyja palët kanë të drejtë. ”Kemi pasur një rritje të kërkesës si rezultat i rritjes së shpejtë ekonomike sepse kjo rritje në vitet e fundit ka shënuar një ritëm të lartë. Rritja ekonomike ka qenë e bazuar kryesisht në shfrytëzimin e energjisë dhe kjo si rezultat ka rritur kërkesën për burime të energjisë".

Por sipas zotit Hanke, edhe faktorë të tjerë ndikojnë në këtë rritje. Në këtë treg të pasigurt, shumë investitorë kanë blerë aksione duke menduar se çmimi i naftës do të vazhdojë të qëndrojë i lartë dhe kjo ka ndikuar në këtë çmim. Zoti Hanke thotë se edhe rënia e dollarit ka pasur një ndikim në rritjen e çmimit të naftës. Të gjithë këta faktorë sipas tij kanë krijuar kushte të volitshme për rritjen rekord të çmimit të naftës. Por çfarë mund të bëhet? Zoti Hanke thotë se çmimi do të binte nëse do të rritej oferta dhe kërkesa të binte. Një faktor tjetër ndihmës do të ishte nëse vendet prodhuese nuk do të mbanin një monopol mbi burimet e naftës dhe nëse për shembull Shtetet e Bashkuara nuk do të vazhdonin të mbajnë sasi të mëdha nafte në rezervat e tyre strategjike. Por për këtë, Shtetet e Bashkuara do të duhej të ngrinin interesat bankarë, gjë që Banka Qendrore amerikane nuk ka të ngjarë ta lejojë. Për ironi, shumë ekspertë fajësojnë pjesërisht gjendjen ekonomike në Shtetet e Bashkuara për çmimet e larta të naftës. //rd//

XS
SM
MD
LG