Lidhje

Kapaciteti luftarak i forcave irakiane të sigurimit


Pas urdhërit për ofensivë ndaj ekstremistëve shiitë në qytetin jugor, Basra muajin e kaluar, kryeministri irakian Nuri al-Maliki u zotua të çarmatosë të gjitha milicitë, qoftë edhe me forcë. Por qëndresa e ndeshur gjatë ofensivës ushtarake në Basra dhe në lagjen Sadr të Bagdatit, ka vënë në pikëpyetje aftësitë e forcave irakiane të sigurimit për të rivendosur rendin në vend.

Shumë analistë i konsiderojnë Basrën dhe lagjen Sadr si terreni ku forcat irakiane të sigurimit duhet të provojnë aftësitë e tyre, 5 vjet pas rrëzimit të Sadam Huseinit nga pushteti. Disa analistë argumentojnë se operacionet e sigurimit kanë nxjerrë në pah probleme që lidhen me mungesën e disiplinës dhe të përvojës si dhe përçarjet në radhët e tyre bazuar në klanet ndaj të cilëve ata janë besnikë.

Eksperti i procesit të rindërtimit në shoqëritë e dala nga konflikti, Terens Kelli, thotë se nuk është e logjikshme të presësh që krijimi i forcave të sigurimit mund të arrihet brenda 5 vjetësh. "Nëse realizohet një përparim politik, një marrëveshje, qoftë edhe në mungesë të ripajtimit të plotë, atëherë mendoj se forcat irakiane do të jenë pranë realizimit të objektivit. Nëse ka rigjallërim të dhunës, atëherë do të duhet më shumë kohë. Do të ishte naive të mendosh se mund të krijosh forca sigurimi nga e para dhe t’i vësh ato në një ndër terrenet më të vështira për çdo ushtri, me mendimin se do të arrijnë të kryejnë menjëherë detyrën".

Pjesa më e madhe e ekspertëve argumentojnë se përparimi i forcave irakiane ka qenë gradual, megjithëse tepër i ngadaltë. Analisti politik Michael O’Hanlon pranë institutit Brookings thotë se arsyeja për këtë është dështimi për ta realizuar këtë mision që në fillim: "E vërteta është se trupat amerikane janë futur në Irak që 5 vjet më parë. Por është e vërtetë gjithashtu se deri 15 muaj më parë nuk kemi ndjekur stretegjinë e duhur. Analiza duhet të mbështetet mbi pyetjen: Çfarë misionesh mund të përmbushin këto forca aktualisht? Ka një numër forcash irakiane të stërvitura dhe pajisura mirë. Por nuk ka ushtarakë të aftë për t’i drejtuar këto forca në operacione. Ministria e Mbrojtjes nuk ka kapacitetin për t’i mbështetur. Pra ka një numër aspektesh ku është arritur sukses, dhe aspekte të tjera ku duhet bërë shumë më tepër".

Shumë analistë thonë se korrupsioni në shkallë të gjerë dhe burokracia e thellë kanë qenë ndër pengesat për pajisjen e trupave me armët e duhura. Të tjerë thonë se përpjekjet e qeverisë irakiane për të luftuar korrupsionin kanë penguar shpenzimet ushtarake. Koloneli amerikan Gaj Cozentino, i cili tani punon për Institutin amerikan të Paqes, thotë se problemet janë shkaktuar pjesërisht nga gjendja e sigurisë në vend. Kolonel Cosentino ka shërbyer si Shef i Planifikimeve dhe Strategjisë për Komandën Shumë-Kombëshe për Sigurimin dhe Tranzicionin në Irak në periudhën 2006-2007. "Jemi në mes të luftës. Pra forcat që po krijohen dërgohen direkt në luftime. Për këtë arsye amerikanët dhe irakianët u përqendruan fillimisht në përpjekjet për të ngritur forcat e këmbësorisë, pra forcat luftarake. Prandaj aspekte si logjistika, zbulimi dhe transporti kanë mbetur pas."

Bagdati po planifikon të inkuadrojë në forcat e sigurimit mijëra irakianë suni që u rekrutuan për të luftuar al-Kaidën në Irak. Kjo forcë kombëtare, thonë analistët, do të pasqyrojë larminë etnike të vendit dhe do të shërbejë për të zgjidhur në një farë mënyre problemet e përçarjeve në bazë të përkatësive etnike. Analisti ushtarak John Pike shpjegon: "Njerëzit kanë prirjen që të jenë besnikë së pari ndaj familjes, së dyti ndaj fisit, së treti ndaj udhëheqësve që ndjekin, së katërti ndaj sekteve fetare në përgjithësi dhe së fundmi ndaj Irakut si një vend i vetëm".

Megjithatë, analistët paralajmërojnë se edhe pse forcat irakiane të sigurimit po arrijnë një nivel pjekurie, ato ende nuk janë të afta të marrin përsipër sigurimin e brendshëm të vendit. Shumica e analistëve thonë se forcat irakiane kanë nevojë për 3 deri në 5 vjet për të vepruar në mënyrë të pavarur nga forcat e koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara. Ka shenja shpresëdhënëse, thonë ata. Por këto forca duhet të ndjekin një trajektore graduale, duke rritur shkallë-shkallë rolin e tyre, ndërkohë që tkurret gradualisht roli amerikan. Megjithëse forcat irakiane të sigurimit kanë bërë përparim të konsiderueshëm, thonë analistët, ata kanë ende një rrugë të gjatë përpara. //ad//

XS
SM
MD
LG