Lidhje

Grup i ri pune për krizën globale ushqimore

  • Barbara Shatzau
  • Nju Jork

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun krijoi një grupe pune të nivelit të lartë, i cili do të meret me krizën globale të ushqimeve.

Zoti Ban sapo përfundoi një vizitë në Evropë dhe në Afrikën Perëndimore, ku ai tha se rëndësia dhe serioziteti i krizës ushqimore në botë mbizotëronte diskutimet. Ai tha se disa udhëheqës e paralajmëruan se kjo krizë mund të dëmtojë përpjekjet për rikuperimin nga konflikti shumë vjeçar.

“Në se nuk zgjidhet si duhet, kjo krizë mund të shndërohet në shumë kriza, që prekin tregëtinë, zhvillimin madje edhe sigurimin shoqëror e politik në mbarë botën. Jeta e qindra miliona njerzve po kërcënohet”.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së tha se hapa premtues për zgjidhjen e nevojave emergjente janë marrë gjatë ditëve të fundit. Por zoti Ban theksoi se Kombet e Bashkuara duhet të jetë në krye të përpjekjeve për zgjidhjen e sfidave afat gjatë, veçanërisht përpjekjet për t’i dhënë shtytje zhvillimit bujqësor në rajonet e prekura.

“U kam bërë thirrje udhëheqësve të botës që të mos marrin masa që dëmtojnë tregëtinë dhe ngrenë çmimet. Ne kemi nevojë për masa të menjëhershme për të siguruar fara, kimikate dhe furnizime të tjera bujqësore për fermerët e vegjël të botës. Kjo krizë nuk u shfaq menjëherë, por është rezultat i neglizhencave prej një dekade dhe politikave të paefektshme të zhvillimit. Ne kemi nevojë për një fillim të ri”.

Zoti Ban tha se grupi i ri i punës do të studjojë shkaqet e krizës dhe do të propozojë zgjidhje që duhen zbatuar në mënyrë vendimtare. Ai do të marrë pjesë në takimin e parë të këtij grupi të hënën e ardhshme. Ai i ka kërkuar shefit të operacioneve humanitare të OKB-së, Xhon Hollms që të kryesojë këto përpjekje. Dejvid Nabaro, kryekordinatori i grupit të punës së OKB-së për gripin e shpendëve, do të shërbejë si zëvëndës-shef i grupit të ri të punës. Gjithashtu, zoti Ban ka ftuar udhëheqësit botërorë që bashkë me të të zhvillojnë në Romë në muajin qershor një takim të nivelit të lartë për këtë çështje. (ze)

XS
SM
MD
LG