Lidhje

Freedom House, raport për lirinë në Amerikë në kushtet e terrorizmit


Organizata Freedom House, autore e raporteve vjetore për lirinë në botë, po e kthen vëmendjen tek Shtetet e Bashkuara. Ajo ka nxjerrë një studim të ri për gjendjen e lirive në Amerikë në kushtet e luftës kundër terrorizmit.

Winston Worley erdhi në Washington para 30 vjetësh për të protestuar ndaj luftës së Vietnamit.

Ai ishte në mes të protestave, duke ushtruar lirinë e shprehjes që është e garantuar në Shtetet e Bashkuara. Ai thotë se vazhdon ta vlerësojë lirinë e tij.

"Unë mund të bëj ç’të dua, përsa kohë që nuk shkel ndonjë ligj. Amerika nuk është shtet policor”.

Të jesh i lirë, nënkupton gjëra të ndryshme për amerikanët.

"Të jesh në gjendje të punosh, të sigurosh jetesën, të blesh, të dalësh në rrugë dhe të jesh në gjendje të thuash atë që ndjen dhe që mendon”.

Organizata Freedom House njihet për raportet mbi lirinë në botë. Tani ajo e ka kthyer vëmendjen tek liritë në Shtetet e Bashkuara.

Organizata arriti në përfundimin se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të sigurojnë një nivel të lartë të lirisë së besimit dhe të shtypit.

Por gazetarja veterane Helen Thomas thotë se media ka ushtruar autocensurë pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit, 2001.

“Njerëzit kishin frikë të flisnin keq. Gazetarët amerikanë druheshin se mund të konsideroheshin anti-amerikanë dhe jo patriotë pas 11 shtatorit”.

Gazetarja thotë se si rezultat, liritë civile u tkurrën, ndërsa administrata ndryshoi ligjin për përgjimin dhe praktikat e marrjes në pyetje të të dyshuarve për terrorizëm.

Freedom House thotë se liria për të votuar është thelbësore për demokracinë. Kjo grua thotë se ajo gjithnjë e ka gëzuar këtë të drejtë.

“Nuk më shtyn njeri të votoj, unë votoj vetë”, thotë Lisa Smith.

Por Stuart Eizenstat i Freedom House thotë se sipas studimit, ka disa probleme me votimin.

"Pamundësia për të votuar nga ata që kanë të ardhura të pakta, fakti një paisjet e votimit nuk i llogarisin në rregill votat, fakti që të burgosurit nuk lejohet të votojnë, që kemi një nga shkallët më të ulëta të pjesëmarrjes në demokracitë moderne”.

Një nga redaktorët e studimit, Thomas Melia thotë se mendimet e larmishme janë diçka pozitive dhe se Shtetet e Bashkuara do të mbeten të lira përsa kohë amerikanët ruajnë frymën e debatit.

“Të gjitha këto liri që ne vlerësojmë kanë arritur sot në këtë nivel, falë historisë sonë unike si shoqëri dhe rezultati janë argumentat që kemi pasur në çdo dekadë dhe brez”, thotë zoti Melia.

XS
SM
MD
LG