Lidhje

Kompanitë e internetit, prirje për partneritet për të shtuar fitimet


Mikrosofti hoqi dorë nga oferta prej 47,5 miliardë dollarësh për të blerë firmën Yahoo. Mikrosofti tha se kompanitë nuk arritën të binin dakord për çmimin. Megjithëse përpjekjet e minutës së fundit nuk arritën të sigurojnë një marrëveshje, disa analistë thonë se ka shumë mundësi që të ketë shkrirje dhe blerje të tjera të këtij lloji në të ardhmen.

Mikrosofti ishte gati të ofronte 33 dollarë për aksion, ndërsa Yahoo-ja donte të paktën 37 dollarë. Por analistë të sektorit teknologjik thonë se pavarësisht nga komentet për dështimin e kësaj përpjekjeje, synimi i marrëveshjes kishte të bënte më shumë me frenimin e programit më të suksesshëm për kërkime në internet. Jonah Bloom është redaktor i revistës Advertising Age.

“60 për qind e kërkimeve në internet bëhen përmes Google”, thotë ai.

Vitin e kaluar firma Google pati nje fitim prej 16 miliardë dollarësh nga reklamat, ndërsa Yahoo, 6 miliardë. Një bashkim i Mikrosoftit me Yahoo-në do t’i jepte mundësinë Mikrosoftit ta shtonte të ardhurat nga reklamat, por njëkohësisht edhe të sfidonte mbizotërimin e firmës Google.

Leslie Harris, presidente e Qendrës për Demokraci dhe Teknologji në Washington ishte më e shqetësuar nga pasojat e bashkimit të mundshëm për qarkullimin e lirë të informacionit në internet.

“Nuk bëhet fjalë thjesht për këtë bashkim, por nëse përmes konsolidimit, interneti humb karakteristikat e veta të veçanta. Këtu duhet ta përqendrojmë vëmendjen”.

Nëse shohim prirjet e fundit, thotë Harris, mund të presim më shumë partneritete në fushën e internetit, ndërsa kompanitë përpiqen të sigurojnë më shumë fitime nga reklamat.

“Kështuqë gjithmonë e më shumë faqe si You-tube do të blihen, po ashtu edhe faqet e tjera të ndërveprimit social. Pyetja që shtrohet është se nëse ato blihen nga një numër i vogël kompanish të mëdha, cilat do të jenë pasojat?”

Zonja Harris thotë se bashkime të mëdha mund të kufizojnë novacionet tekonologjike në internet dhe të nxjerrin jashtë konkurrencës kompanitë e vogla të reja të internetit. Nëse ndodh një gjë e tillë, vetëm një numër i vogël kompanish do të ketë nën kontroll një nga burimet më fitimprurëse të të ardhurave nga reklamat. //kk//

XS
SM
MD
LG