Lidhje

Shtëpia e Bardhë kritikoi Rusinë për acarimin e tensioneve me Gjeorgjinë


Shtëpia e Bardhë kritikoi Rusinë për një seri hapash që kanë acaruar tensionet me Gjeorgjinë lidhur me fatin e 2 rajoneve separatiste gjeorgjiane, Abkazinë dhe Osetinë Jugore.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Dana Perino, tha se tensionet midis Rusisë dhe Gjeorgjisë janë të larta, madje ajo e bëri të qartë se administrata mendon se pjesën më të madhe të fajit e ka Moska.

"Qeveria ruse ka ndërmarrë ato që ne i quajmë veprime provokuese, të cilat kanë shtuar tensionet me Gjeorgjinë lidhur me rajonet e saj separatiste të Abkazisë dhe Osetisë Jugore”.

Zëdhënësja Perino tha se Rusia rrëzoi një aeroplan spiun gjeorgjian pa pilot muajin e kaluar në hapësirën ajrore gjeorgjiane, akuzë që Moska e ka hedhur poshtë. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë theksoi edhe shtimin e pranisë ushtarake ruse përgjatë kufirit administrativ, që ndan Gjeorgjinë dhe Abkazinë. Madje zonja Perino theksoi edhe tërheqjen e Moskës nga sanksionet, që një grup ish republikash sovjetike, kishin vënë ndaj Abkazisë.

Këto dy rajone separatiste gjeorgjiane konsiderohen pro ruse. Zëdhënësja Perino e bëri të qartë se në vend që të nxisë ambicjet e tyre separatiste, Moska duhet të veprojë si një ndërmjetës midis separatistëve dhe qeverisë në Tbilisi.

“Këto hapa kanë shtuar shumë dhe pa qënë nevoja tensionet në rajon, madje janë në kundërshtim me statusin e Rusisë si një ndihmës në procesin e miqve të Abkazisë në Kombet e Bashkuara”.

Të gjitha këto zhvillime ndodhin ndërkohë që flitet për mundësinë e shtimit të lidhjeve midis Rusisë dhe qeverisë së vetë-shpallur separatiste në Abkazi. Sipas një gazete ruse, një zyrtar i lartë separatist tha se Moska duhet të marrë përsipër gjendjen e sigurisë në atë rajon.

Në të njëjtën kohë, një zyrtar gjeorgjian, përgjegjës për marrëdhëniet me territoret separatiste, ndodhet në Bruksel për bisedime me zyrtarë të Bashkimit Evropian. Ministri shtetror për ri-integrimin, Temur Iakobashvilli tha se qeveria e tij po përpiqet të shmangë luftën.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Perino paralajmëroi të gjitha palët që t’i masin fjalët dhe të mos lejojnë që gjendja të dalë jashtë kontrollit.

“Ne i kemi bërë thirrje qeverisë së Gjeorgjisë që të vazhdojë të përmbahet nga çdo masë ushtarake dhe të vazhdojë përpjekjet për një zgjidhje politike të konflikteve separatiste. Ne gjithashtu i bëjmë përsëri thirrje qeverisë ruse që të përsërisë angazhimin e saj ndaj sovranitetit dhe integritetit teritorial të Gjeorgjisë, të zbprapsë masat e saj në Abkazi dhe Osetinë Jugore dhe të ndërpresë provokimet e mëtejshme”.

Zonja Perino tha se Shtetet e Bashkuara kanë qënë në kontakt me zyrtarë të lartë rusë e gjeorgjianë, por ajo shtoi se presidenti Bush nuk është angazhuar ende në ndonjë hap diplomatik nëpërmjet telefonit lidhur me këtë çështje. (ze)

XS
SM
MD
LG