Lidhje

Medvedev merr presidencën ruse; emëron Putin si kryeministër


Në Rusi, Dmitri Medvedev, bëri betimin si Presidenti i ri i vendit, në një ceremoni madhështore në Kremlin. Pak më vonë, ai emëroi paraardhësin e tij Vladimir Putin në postin e Kryeministrit dhe mori bekimin e Patriarkut Ortodoks të Moskës, Aleksej. Pritet që shumë shpejt, zoti Putin të konfirmohet edhe nga parlamenti i Rusisë, me shumicë dërrmuese. Në fjalën e rastit me rastin e inaugurimit të tij, zoti Medvedev tha se Rusia është “e përkushtuar për zbatimin e ligjit” dhe se “një sistem ligjor i zhvilluar duhet të jetë baza e zhvillimit ekonomik dhe social të vendit”. Një zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë, thotë se Presidenti Bush mirëpret bashkëpunimin e ardhshëm me Presidentin Medvedev dhe shpreson që të ketë të njëjtën marrëdhënie të hapur që kishte me zotin Putin. Opozita ruse e kritikoi me forcë procesin elektoral, që e çoi zotin Medvedev drejt fitores në zgjedhjet e marsit.

Si president i sapozgjedhur i Rusisë, Dimitri Medvedev ka bërë një numër deklaratsh publike rreth shtetit ligjor dhe rëndësisë së shoqërisë civile, pronës private dhe shtypit të lirë për popullin dhe vendin e tij. Komentet e tij lënë të kuptohet se Rusia vuan nga një mungesë bazë e lirisë.

Në muajin shkurt, para se të fitonte zgjedhjet presidenciale, Dimitri Medvedev tha se liria në të gjitha format, personale, ekonomike dhe shprehëse, është më mirë sesa jo liria. Ai gjithashtu u zotua për të luftuar korrupsionin, dukuri që ai e cilësoi si sëmundjen më të keqe të Rusisë. "Ka shumë rëndësi për të kuptuar që drejtësia, të drejtat e përgjithëshme për liri dhe arritjet në luftën ndaj korrupsionit janë pjesë e të drejtave që qytetarët kanë për të marrë informacionin e vërtetë. Ne duhet të mbrojmë pavarësinë e vërtetë të shtypit, i cili siguron balancën midis shoqërisë civile dhe degëve të ndryshme të pushtetit."

Nëndrejtori i Institutit SHBA-Kanada në Moskë, Viktor Kremenjuk thotë se komentet e zotit Medvedev ndryshojnë shumë nga ato që ka bërë presidenti që po largohet, Vladimir Putin. "Ai tingëllon si Tomas Xhefersoni. Liria ka vlerën më të madhe. Kjo është diçka ndryshe nga çfarë kemi dëgjuar gjatë këtyre 8 vjetëve, prandaj them se nëse është serioz, në Rusi do të ketë një përpjekje për ndryshim në radhën e zhvillimeve."

Dimitri Medvedev thotë se Rusia ka nevojë për reforma në infrastrukturë dhe institucione. Por analisti i pavarur politik në Moskë, Aleksandër Konovalov vë re një paradoks: "Zoti Medvedev kërkon të ndryshojë interesat e burokracisë së vjetër që është jo vetëm kundër reformës, por edhe që e solli atë në pushtet. Ai nuk mund të mos jetë i vetëdijshëm se sa të dyshimta ishin zgjedhjet e fundit parlamentare dhe ato presidenciale. Ai nuk do të kryente vetvrasje politike duke shkatërruar sistemin që e ngriti atë në majën e pushtetit."

Ndërkohë që zoti Medvedev ka bërë thirrje për reforma në shtyp, analisti Konovalov thekson se gazetat ruse, çuditërisht, ka kohë që janë të çliruara nga censura. Televizioni, megjithatë, vazhdon të jetë nën kontrollin e fortë të Kremlinit. Televizioni kontrollon mendimin publik. Autoritetet sot sot janë të bindur për këtë dhe prandja e mbajnë televizionin nën kontroll të rreptë.

Anëtarë të opozitës ruse kanë kërkuar përdorimin e televizionit duke thënë se do t’i jepte mundësinë për të konkuruar për pushtet. Komentatorja e Radios, Jevgenia Albats thotë se është vështirë të parashikohet nëse zoti Medvedev do të jetë në gjendje t’i mbajë premtimet për reformë. "Është vështirë të thuhet nëse do të kemi një president të ri apo një president kukull të Kremlinit dhe nëse presidenti Putin që bëhet kryeministër do të mbajë nën kontroll të rreptë të gjitha strukturave të pushtetit. Përgjigja e kësaj pyetje do të zbulohet ngadalë tani që zoti Medvedev ka marrë pushtetin presidencial."

Megjithatë, kompetencat e zotit Medvedev do të jenë më të pakta sesa ato të paradhësit të tij. Vladimir Putin, disa kompetenca presidenciale ia ka transferuar tek posti i kryeministrit, të cilin ai e merr pas largimit nga Kremlini. //bsa//

XS
SM
MD
LG