Lidhje

60-vjetori i shtetit izraelit dhe çështja e refugjatëve palestinezë


Para 60 vjetësh, Izraeli shpalli pavarësinë, pas një vendimi të Kombeve të Bashkuara për ndarjen e zonës në shtete arabe dhe hebraike. Në këtë ditë izraelitët festojnë pavarësinë, por për palestinezët ky përvjetor njihet si al-Naqbam, ose katastrofa. Në luftën që pasoi, shumë palestinezë shkuan në Bregun Perëndimor, që u bë pjesë e Jordanisë dhe pastaj u vu në kontrollin izraelit. Për këta refugjatë palestinezë përvjetori i themelimit të Izraelit është një kujtesë për shtëpitë që humbën para shumë vjetësh.

Burrat e moshuar në kampin Jalazone të refugjatëve pranë qytetit Ramallah të Bregut Perëndimor kanë mjaft kohë për të menduar për të shkuarën. Shumë prej tyre banojnë këtu prej 60 vjetësh, që kur lanë shtëpitë e tyre aty ku sot është Izraeli.

60 vjet pas themelimit të Izraelit, mbi 4 milionë palestinezë janë ende refugjatë. Shumë jetojnë në kampe si Jalazone në Bregun Perëndimor, që Izraeli e vuri nën kontroll në vitin 1967. Shpesh ata mbijetojnë vetëm falë ndihmës së huaj.

Mohammed Ghawanmeh dhe nëna e tij Hajar jetojnë në Jalazone që prej 50 vjetësh. Mohammed ka lindur në këtë shtëpi. I vetmi vend tjetër ku ai ka jetuar është një burg izraelit, ku vuajti dënimin si udhëheqës i grupit islamik Jihad. Jeta e tij dhe e nënës së tij janë të kushtëzuara nga mërgimi. Hajar thotë se ky çelës është e vetmja gjë që i ka mbetur familjes nga fshati i lindjes, Dawayima. Familja e saj iku gjatë luftës së vitit 1948 pas pavarësisë së Izraelit.

Hajar thotë se edhe sot pas kaq vjetësh do të kthehej atje. “Nëse do të kisha mundësi, do të kthehesha menjëherë. Asgjë këtu nuk ka kuptim për mua. E vetmja gjë që ka kuptim është fshati im. Nuk mund të shkoj atje dhe kjo më dëshpëron. Unë mund të jem e kënaqur vetëm nëse kthehem në shtëpinë time”.

Në vitin 1948, Izraelitët u gëzuan kur u shpall shteti i tyre. Por ushtritë arabe, pothuajse menjëherë e sulmuan shtetin e ri. Izraeli bëri një luftë të dëshpëruar për mbijetesë. Ndërkohë 700 mijë palestinezë humbën shtëpitë dhe u arratisën në vendet arabe përreth dhe në Bregun Perëndimor.

Dawayima u sulmua nga bataljoni i 89-të izraelit. Rreth 100 fshatarë u vranë. Të gjithë të tjerët u arratisën dhe nuk u kthyen kurrë më. E vetmja gjë që ka mbetur tani nga Dawayima, janë këto pemë ulliri që tani ndodhen thellë në Izrael. Askush nuk jeton më këtu.

Disa udhëheqës izraelitë kanë thënë se ushtarët izraelitë i detyruan palestinezët të largoheshin nga fshatrat e tyre. Por disa të tjerë thonë se shteti hebraik do të dështonte nëse lejonte kthimin e refugjatëve palestinezë.

Issam Arruri drejton Qendrën e Jeruzalemit për Ndihmë ligjore në Ramallah. Ai thotë se çështja e refugjatëve është kritike për kauzën palestineze. “Çështja e refugjatëve është në zemër të konfliktit. Para vitit 1967, Bregu Perëndimor dhe Gaza nuk ishin të pushtuara dhe nuk kishte vendbanime, ose kufij, por konflikti ekzistonte për shkak të refugjatëve”.

Në kampin Jalazone të refugjatëve, banorët janë ende të zemëruar megjithëse kanë kaluar 60 vjet. Ky burrë thotë se nuk do të heqë kurrë dorë nga ëndrra e kthimit në shtëpinë e tij të vjetër. “Të gjithë njerëzit në këtë kamp dhe të tjera, kanë dy gjëra të rëndësishme: tokën dhe nderin, të dyja të pandashme nga njëra-tjetra”.

Por Mohammed Ghawanmeh thotë se megjithëse do t’i pëlqente të kthehej në Dawayima, ndoshta nuk do të mundet kurrë. “Çdo refugjat ka të drejtën të kthehet në qytetin e vet, por nuk mendoj se kjo është e mundur”.

Mohammed thotë se nëse krijohet një shtet palestinez në Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës, ai do ta konsideronte si shtetin e tij të ri. Ai thotë se palestinezët do të heqin dorë nga rezistenca ndaj Izraelit kur të kenë një shtet të vetin. //bsa//

XS
SM
MD
LG