Lidhje

Instituti i Virologjisë në Baltimorë, kërkime për vaksinën e Sidës


Megjithëse qeveria dhe shkencëtarët kanë ndaluar shumicën e provave klinike për vaksinën e Sidës, një institut kërkimor vazhdon punën për virusin më vdekjeprurës të kohës sonë. Provat e vaksinës u ndaluan në fund të vitit të kaluar, kur u zbulua se vaksina e shtonte rrezikun e infektimit për disa njerëz. Por shkencëtarët në Institutin e Virologjisë Njerëzore po vazhdojnë punën për të prodhuar një vaksinë të re.

“Në këtë laborator ne studiojmë reagimin ndaj infeksionit me virusin HIV, i cili mund t’a kufizojë apo t’a parandalojë atë.” Alfredo Garzino, profesor kërkimesh shkencore në Institutin e Virologjisë Njerëzore në Baltimor vazhdon punën në laborator për virusin HIV.

Pas ndalimit të shumicës së provave klinike të vaksinave të mundshme për Sidën, bashkë-themeluesi i institutit thotë se ai nuk ka qenë dakort për kryerjen e provave në njerëz. Doktor Galo thotë se asnjë nga vaksinat provë nuk ishin të gatshme për testim. “Ne u nxituam me provat klinike dhe kemi qenë të ngadaltë në përpjekjet për t’u dhënë përgjigje pyetjeve të rëndësishme për të gjetur një vaksinë të suksesshme.”

Doktor Galo shton se tundimi për të provuar diçka çoi në kryerjen e vaksinave të reja për të cilat shumë shkencëtarë e ndjenin se nuk do të funksiononin. “Kjo, pa dyshim që e ka dëmtuar këtë fushë. I ka bërë disa njerëz që të mos financojnë kërkimet për vaksina dhe ky do të ishte gabim i madh.”

Në vitin 1984, Dr. Galo zbuloi së bashku me një tjetër shkencëtar retrovirusin që shkakton Sidën. Më vonë ai krijoi analizën e gjakut për të zbuluar virusin tek ato që dhuronin gjak dhe për të diagnostikuar Sidën në fazat e hershme. Dr. Galo thotë se kërkimet e tij për vaksinën e Sidës vazhdojnë dhe ato mund të jenë të gatshme për testime brenda një apo dy vjetësh. Nëse do të funskionojë, do të marrë vite para se ajo të dalë në treg për publikun. “Mendoj se mund të ndodhë për 8 deri në 12 vjet.”

Ndërkohë, thotë Dr. Galo, instituti do të vazhdojë kërkimet për virusin Hiv dhe Sidën. Rreth 40 milion njerëz jetojnë me këtë sëmundje. Instituti po teston, mëson dhe këshillon rreth 200 mijë njerëz në Afrikë dhe në Karaibe.

Në Baltimor, në qytetin ku ndodhet instituti, mijëra njerëz marrin çdo ditë trajtim mjekësor. Xhudit Sho-Meknajt është infektuar para 17 vjetësh. “Unë i besoja partnerit tim dhe prandaj unë e kam sot këtë virus.”

Partneri i Xhudit për dy dekada me radhë dhe babai i vajzës së saj të vetme vdiq nga Sida para disa vitesh, duke e lënë atë të vetme dhe të infektuar. Ajo thotë se pas shumë kohësh që kërkonte ndihmë më në fund e gjeti. Ajo punon tani si recepsioniste në klinikën e Baltimorës për Sidën, pjesë e institutit, ku trajtohen afro 4 mijë pacientë.

Përveç virusit HIV, Sho-Meknajt ka arritur të shpëtojë edhe nga kanceri i gjirit. Ajo thotë se kishte filluar të merrte ilaçe për Sidën kur ndjehej e sëmurë. Por ilaçet e përditshme kishin efekte anësore. “Kur fillon ilaçet anti-virale, duhet t’i marrësh ato çdo ditë dhe ashtu si duhet. Bëhet fjalë për diçka që do ta marrësh gjatë gjithë jetës.”

Sikurse Xhudit, miliona njerëz në të gjithë botën varen tani nga trajtimet e përditshme mjekësore, deri sa të gjendet një zgjidhje e përhershme. Megjithatë, Banka Botërore njofton se në Afrikën nën-Sahariane për çdo person që fillon terapinë anti-retrovirale, shfaqen gjashtë raste të reja të infeksionit me HIV. //bsa//

XS
SM
MD
LG