Lidhje

SHBA e shikojnë me shqetësim ngritjen e tensionit Rusi-Gjeorgji


Një zyrtar i lartë amerikan shpreh shqetësimin se tensionet mes Rusisë dhe Gjeorgjisë mund të çojnë në një konflikt të armatosur. Ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Çështjet Evropiane, Daniel Fried, shfrytëzoi dëshminë që dha dje para një komisioni të Kongresit për t’u bërë thirrje të dy vendeve që të tregohen të përmbajtura.

Në dëshminë para Komisionit për Sigurimin dhe Bashkëpunimit në Evropë, ndihmës sekretari i Shtetit, Fried, tha se Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara se tensionet mes Rusisë dhe Gjeorgjisë mund të shtohen edhe më tej, por ai shprehu bindjen se anjeri prej tyre nuk e dëshiron luftën.

"Çfarë i trembemi ne është numri i madh i njerëzve të armatosur që janë shumë pranë njeri tjetrit dhe një numër rekord provokimesh që mund të shkaktojnë një problem më të gjerë dhe krejt papritur mund të ballafaqohemi me vdekje, të shtëna dhe një incident të dalë jashtë kontrollit. Ne jemi së tepërmi të shqetësuar për këtë”.

Çështja ka të bëjë me dy rajonet separatiste të Gjeorgjisë, Abkazinë dhe Osetinë Jugore, të cilat shpallën pavarësinë në fillim të viteve 90-të, që solli shpërthimin e luftimeve dhe vendosjen e trupave paqeruajtëse ruse në rajon. Gjeorgjia i ka akuzuar trupat ruse për mbështetjen e separatistëve dhe ka deklaruar se do t’i marrë të dy rajonet përsëri nën kontrollin e qeverisë qendrore.

Tensionet u shtuan muajin e kaluar, kur Gjeorgjia e akuzoi Rusinë për goditjen dhe rëzimin e një avioni zbulimi pa pilot mbi hapsirën ajrore gjeorgjiane. Moska e përgënjeshtroi rolin e saj në këtë incident. Kohët e fundit Rusia hodhi hapa për të forcuar lidhjet me të dy rajonet dhe shtoi trupat e saj paqeruajtëse në Abkazi.

Presidenti i Gjeorgjisë, Mikhail Sakashvili, u citua nga mjetet ruse të medias të ketë thënë se kërcënimi i një konflikti ushtarak lidhur me Abkazinë mbetet i madh. Moska ka kërcënuar të dërgojë trupa në Abkazi, në qoftë se Gjeorgjia vazhdon të shtojë praninë e saj ushtarake në zonën kufitare.

Ndihmës sekretari Shtetit, Fried, u bëri thirrje të dy palëve, por veçanërisht Rusisë, të tregohen të përmbajtura.

"Nuk na pëlqen retorika e urrejtjes që kemi dëgjuar nga Rusia. Hera herës edhe retorika e Gjeorgjisë është e ashpër. Edhe pse ne i kemi bërë thirrje Gjeorgjisë të përmbahet, duhet të kemi parasysh se ka një diferencë të madhe mes një vendi të vogël që ndjehet i kërcënuar dhe një vendi shumë të madh. Megjithëse ne i këshillojmë gjeorgjianët në këtë mënyrë, ata janë pala më e pambrojtur dhe në këtë rast është teritori i tyre që kërcënohet".

Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit amerikan ka paraqitur një rezolutë jo të detyrueshme që shpreh qendrimin e saj se provokimet dhe deklaratat e rrezikëshme, si dhe veprimet e qeverisë ruse minojnë tërësinë teritoriale të Gjeorgjisë.

Ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Çështjet Evropiane, Daniel Fried, e mirëpriti mbështetjen e fuqishme që shprehet në rezolutë për Gjeorgjinë. Ai tha se ajo u shton gjeogjianëve besimin se ata nuk janë vetëm në këtë çështje dhe mund t’u vijë në ndihmë atyre që të punojnë në mënyrë konstruktive dhe në rrugë diplomatike për zgjidhjen paqësore të situatave të krijuara me Abkazinë dhe Osetinë Jugore. //iç//

XS
SM
MD
LG