Lidhje

Holokausti: Si i ndihmuan shqiptarët hebrejtë gjatë luftës


Një shprehje e njohur thotë se thelbi i njeriut të mirë është pamundësia e tij për të parë, dëgjuar apo bërë keq. Ndoshta këtu qëndron edhe forca morale e së mirës. Por në rastet kur këta njerëz të moralshëm arrijnë të kuptojnë ekzistencën e së keqes në botë dhe ngrihen për t’i bërë qëndresë, nuk bëhet fjalë vetëm për një akt moral, por për një heroizëm. Pikërisht për një akt të tillë heroik u kujtua në Uashington një familje shqiptare nga Kavaja.

Holokausti mbetet një ndër tragjeditë kolosale të kohës moderne. Megjithëse një temë më se e njohur nga të gjithë, ajo fsheh në vetvete miliona histori personale të secilit prej viktimave. Brenda kësaj tragjedie fshihen edhe histori të mrekullueshme guximi, dhe sakrifice.

Komuniteti hebraik këtu në Shtetet e Bashkuara organizon çdo vit Ditët përkujtimore të Holokaustit për të kujtuar këtë tragjedi kolosale njerëzore dhe ideologjinë që e shkaktoi atë, në mënyrë që bota të mos harrojë kurrë.

Majlinda Myrto ka ardhur në Uashington nga Nju Jorku për të rrëfyer historinë e familjes së saj 64 vjet të shkuara. Për këtë familje kavajse, Holokausti ishte sprova e parë dhe më e madhe e një miqësie që vazhdoi gjithë jetën.

Vjehrri i saj, Shyqyri Myrto sapo kishte mbushur të 20-tat kur Shqipëria u pushtua nga nazistët. Ky moment historik e ribashkoi me Jozej Jakoel, shok shkolle gjatë studimeve të mesme në Vlorë. "Jozefi duke parë që numri i hebrenjve në Vlorë po rritej dhe mund të ishte e rrezikshme për të ardhmen, i kërkoi vjehrrit tim që jetonte në Kavajë që t’i strehonte ndërkohë që gjermanët kishin hyrë në Shqipëri."

Pa marrë parasysh pasojat, familja Myrto strehon jo vetëm Jozefin, por edhe motrën e tij Keti, për gjithë kohën që vazhdoi pushtimi nazist. "Akti i vjehrrit tim, së pari e ka emrin humanizëm, e dyta është fjala e dhënë, është besa jonë, dhe është edhe shpirti njerëzor. Në këtë rast nuk është vetëm vjehrri por të gjithë shqiptarët që strehuan dhe ndihmuan hebrenjtë në Shqipëri, por edhe të ardhur."

Këto fjalë mbartin një peshë të veçantë, duke pasur parasysh sakrificën e madhe që kërkonte një akt i tillë. Familja Myrto ishte vënë nën dyshime nga gestapoja se strehonte hebrenj, dhe për këtë arsye pagoi edhe çmimin më të lartë: "Megjithëse familja jonë ishte një familje e madhe, me shumë njerëz, prapë ata e dinin praninë e të gjithë pjesëtarëve të familjes, ndërkohë arrestojnë një nga vëllezërit e vjehrrit tim, e internojnë në Mathauzen, ku edhe vdes, por asnjëherë nuk e shitën këtë familje hebraike për të vëllain."

Është një akt që siç thotë zonja Myrto, i kapërcen kufijtë e dallimeve fetare, etnike apo kulturore dhe përfaqëson tiparet më të mira të shpirtit njerëzor. Është një nga shembujt e sakrificës dhe përkushtimit njerëzor që komuniteti hebre ka zgjedhur të nderojë këtë vit për të theksuar forcën dhe triumfin e dashurisë përballë urrejtjes, ndërkohë që koha na ndan gjithnjë e më tepër nga dëshmitarët e fundit të Holokaustit. //bsa//

XS
SM
MD
LG