Lidhje

Mitrovica përgatitet për zgjedhjet serbe


Shtetasit serbë që jetojnë në Shtetet e Bashkuara, Kanada, Britani dhe Portugali po votojnë sot për zgjedhjet e përgjithshme që mund të kthejnë në pushtet nacionalistët në Serbi.

Gati 7 milionë serbë kanë të drejtën e votës në zgjedhjet që shihen si tregues i drejtimit të vendit drejt anëtarësimit në BE apo kthimin drejt nacionalizmit mbi Kosovën. Beogradi refuzoi të njohë pavarësinë e Kosovës dhe po i bën thirrje serbëve atje të votojnë në zgjedhjet lokale.

Anketat tregojnë se partia radikale serbe e Tomisllav Nikoliçit gëzon 34 përqind mbështetje. Koalicioni pro-perendimor i drejtuar nga presidenti Boris Tadiç ka gati 33 përqind. Blloku i udhëhequr nga kryeministri Vojisllav Koshtunica është në vendin e tretë me 12 përqind. Meqë asnjë parti nuk ka të ngjarë të fitojë shumicën absolute, zoti Koshtunica pritet të ketë një rol vendimtar në formimin e qeverisë së re.

Edhe Mitrovica po përgatitet për zgjedhjet e rëndësishme parlamentare që do të mbahen nesër. Situata është e komplikuar në Kosovë pasi serbët atje do të mbajnë zgjedhje lokale paralele. Autoritetet e OKB-së i quajnë zgjedhjet lokale të paligjshme dhe udhëheqësit e Kosovës i shohin ato si një provokim – një përpjekje të serbëve për të minuar pavarësinë e shtetit të tyre.

Listat e zgjedhësve dhe kutitë e votimit mbërritën sot në pjesën veriore të Mitrovicës para zgjedhjeve parlamentare serbe që zhvillohen nesër. Zyrtarët e zgjedhjeve thanë se 285 qendra votimit do të hapen në Kosovë nesër në orën 7 të mëngjesit sipas kohës lokale. Momir Kasaloviç koordinatori rajonal i zgjedhjeve për Mitrovicën thotë se Serbia ka bërë gjithçka të mundur për të siguruar që zgjedhjet parlamentare të zhvillohen sa më të qeta. “Shpresojmë që të mos ketë incidente”, thotë ai.

Zoti Koshtunica detyroi mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare pas një ndarje me presidentin pro-perendimor Tadiç. Që të dy kundërshtuan pavarësinë e Kosovës, por kanë pikëpamje të ndryshme lidhur me politikat drejt Bashkimit Evropian. Si zoti Koshtunica edhe kandidati i partisë radikale Tomisllav Nikoliç thonë se Serbia duhet të lerë mënjanë planet e anëtarësimit në BE dhe të përqëndrohet në krijimin e lidhjeve më të ngushta ekonomike e politike me Rusinë, e cila ka mbështetur Serbinë në pretendimet e saj për Kosovën.

Me shpresë për të ndihmuar presidentin Tadiç të përballojë pasojat e pavarësisë së Kosovës, BE-ja nënshkroi marrëveshje me Serbinë javën e kaluar, me synimin për t’u treguar votuesve të mirat që do të gëzojnë nga anëtarësimi në BE.

Por nacionalistët e kanë etiketuar si tradhëtar zoti Tadiç për nënshkrimin e marrëveshjes. Presidenti serb ka premtuar se zoti Koshtunica, i cili ka mbajtur dy herë postin e kryeministrit që nga viti 2000, nuk do ta mbajë më kurrë këtë post. Nacionalistët po shfrytëzojnë krenarinë e tyre kombëtare, papunësinë në nivelin 30 përqind, rritjen e çmimeve dhe korrupsionin. Disa janë të shqetësuar se Serbia do të izolohet edhe më tej në se zoti Koshtunica krijon një qeveri me radikalët.

Situata është e komplikuar në Kosovë pasi serbët atje do të mbajnë zgjedhje lokale paralele të djelën. Autoritetet e OKB-së i quajnë zgjedhjet lokale të paligjshme dhe udhëheqësit e Kosovës i shohin ato si një provokim – një përpjekje të serbëve të minojnë pavarësinë e shtetit të tyre. Tensionet janë aq të larta saqë në pritje të një dhune të mundshme dhe për të ruajtur kufijtë e brishtë të Kosovës, Natoja do të dërgojë 600 paqeruajtës shtesë krahas 16 mijë forcave. Forcat shtesë janë vendosur për të siguruar një kalim paqësor të autoritetit nga administrata e OKB-së tek institucionet e Kosovës në mes të qershorit. Serbia është angazhuar të sfidojë pavarësinë e Kosovës dhe të minojë qeverinë e Prishtinës. Megjithëse rreth 40 vende e kanë njohur zyrtarisht Kosovën, shteti i ri mbetet i dobët dhe po përpiqet të ulë tensionet etnike. //rd//

XS
SM
MD
LG