Lidhje

Presidenti Bush vazhdon përpjekjet për paqe izraelito-palestineze


Presidenti amerikan Xhorxh Bush niset javën e ardhshme në Lindjen e Mesme për një vitizë 5-ditëshe në Izrael, Arabinë Saudite dhe Egjipt. Administrata amerikane ka shprehur shpresën se do të arrihet një paqe e qëndrueshme duke shfrytëzuar inercinë e arritur vitin e kaluar në konferencën për paqe të organizuar nga Shtetet e Bashkuara.

Presidenti Bush filloi raundin e fundit në përpjekjet për paqe izraelito-palestineze në nëntor në konferencën e Anapolis, pranë Uashingtonit. "Sot palestinezët dhe izraelitët e kuptojnë se ndihma për realizimin e aspiratave të palës tjetër është çelësi për realizimin e aspiratave të tyre dhe të dyja palët kërkojnë një shtet të pavarur, demokratik dhe të qëndrueshëm palestinez," thotë Presidenti.

Kjo zgjidhje me ekzistencën e dy shteteve është thelbi i strategjisë së Presidentit Bush dhe ai synon që të përcaktohen koordinatat e shtetit palestinez para se ai të largohet nga Shtëpia e Bardhë në janar. Por palestinezët janë të përçarë ndërmjet qeverisë së Fatahut në Bregun Perëndimor dhe qeverisë Hamas në Gazë.

Kryeministri izraelit Ehud Olmert i tha Presidentit në fillim të vitit se çdo marrëveshje paqeje duhet të përfshijë të gjithë palestinezët: "Nuk do të ketë paqe, nëse nuk ndalet terrorizmi. Terrorizmi duhet të ndalet kudo. Ia kemi bërë të qartë palestinezëve; ata e dinë dhe e kuptojnë se Gaza duhet të jetë e përfshirë në paketën e zgjidhjes," tha zoti Olmert.

Presidenti Bush u takua me Presidentin palestinez Mahmud Abaz para udhëtimit për të parë se si mund të ndihmojë përparimin e procesit të paqes. Udhëheqësi palestinez i bëri të qarta sfidat që mbeten: "Nuk mund të them se rruga drejt paqes është e shtruar me lule. Ajo është e mbushur me pengesa. Por së bashku ne do të punojmë me seriozitet për të eliminuar pengesat dhe për të arritur paqen," tha Presidenti Abaz.

Këshillitari i Presidentit për Sigurimin Kombëtar Stiv Hedli thotë se ka pasur një farë përparimi drejt një shteti palestinez, megjithëse ekspertët thonë se bisedimet e paqes deri tani nuk kanë shënuar shumë përparim. Perspektiva e një shteti të ri, thotë ai, do t’i hapë dyert paqes. "Në atë moment, Presidenti Abaz do të jetë në gjendje të shkojë tek populli në Gazë dhe t’u thotë: Duhet të zgjidhni: Mund të vazhdoni jetën që bëni tani nën shtypjen e Hamasit, dhe të gjithë e kemi të qartë sa e vështirë është gjendja e palestinezëve në Gazë – ose mund të bëheni pjesë e një shteti palestinez, gjë që dëshirojmë edhe ne, edhe vetë palestinezët," tha zoti Hedli.

Nejthen Braun drejton studimet për Lindjen e Mesme në Universitetin Xhorxh Uashington. Ai thotë se Presidenti Bush do të takohet si me palestinezët ashtu edhe me izraelitët. "Të dyja palët mund të jenë afruar pak në qëndrimet e tyre, megjithatë mbetet një hendek i madh. Përveç kësaj, realiteti në terren, si për shembull vendbanimet hebraike, kantieret e ndërtimit, sistemi i rrugëve, këto mbeten shumë të vështira për t’u zgjidhur. Këto projekte mund të eliminohen, por me një çmim shumë të lartë politik për qeverinë izraelite. Kjo qeveri edhe tani është mjaft e dobët," thotë profesor Braun.

Tre udhëheqësit i shtrënguan dorën njëri-tjetrit në Anapolis, por gjatë udhëtimit të tij të ardhshëm Presidenti Bush do të zhvillojë takime kokë-më-kokë me udhëheqësit izraelitë dhe palestinezë. Ai do të nxisë edhe angazhimin rajonal në këtë proces përmes bisedimeve të veçanta me Presidentin egjiptian Hosni Mubarak dhe Mbretin Abdallah të Arabisë Saudite, me të cilët u takua vitin e kaluar. Presidenti Bush do të takohet me Mbretin Abdullah të Jordanisë, i cili vizitoi Shtëpinë e Bardhë në mars. //ad//

XS
SM
MD
LG