Lidhje

Telemjekësia në Shqipëri


Shqipëria nënshkroi të premten marrëveshjen për të instaluar në 14 spitalet e saj qendra të telemjekësisë, në përpjekje për të modernizuar sistemin shëndetësor. Marrëveshja e nënshkruar nga drejtuesit e ministrisë së shëndetësisë parashikon vendosjen e këtyre pajisjeve në të gjithë spitalet, sipas një projekti të hartuar nga Qendra e Telemjeksëisë së Ballkanit. Drejtuesi i kësaj Qendre, Dr. Rifat Latifi, është optimist se në Shqipëri do të punohet shpejt për telemjekësinë, sipas përvojës së fituar në Kosovë.

Doktori i njohur Rifat Latifi është duke vizituar spitalet e Shqipërisë për të realizuar një projekt të ri për modernizimin e e tyre. Nga Peshkopia në Lezhë dhe në Shkodër, drejtori i Qendrës së Telemjekësisë në Ballkan udhëton pa ndërprerje me grupin e tij të ekspertëve nga Kosova dhe SHBA për të përhapur telemjekësinë. Ai ishte në udhëtim drejt spitaleve të veriut edhe kur në Tiranë u nënshkrua marrëveshja me ministrinë e shëndetësisë për ngritjen e 14 qendrave të telemjekësisë në cdo spital të vendit.

Dr. Latifi thotë se grupi është në në fazën e parë të vlerësimit teknik të gjithë spitaleve të Shqipërisë në përgatitje të projektit për telemjekësinë dhe shëndetësinë elektronike, i cili do të jetë një program integrues që do ta modernizojë dhe do ta ndihmojë në nivel mjaft të lartë mjekësinë shqiptare.

“Kemi vërjetur dy koncepte të ndryshme: nga njëra anë disa spitale nuk kanë internet fare ose nuk ka kanë teknologji të re, por në anën tjetër kemi gjetur një vetëdijësim jashtëzakonisht të madh prej qeverisë dhe kryeministrit Berisha, ministit të shëndetësisë dhe drejtuesve rajonalë të mjekësisë dhe mjekëve në spitale të ndryshme. Ata janë plotësisht të vetëdijshëm dhe të vendosur që ta bëjnë telemjekësinë në të gjithë Shqipërinë” - thotë zoti Latifi.

Krahas amerikanëve, në grupin e ekspertëve janë edhe specialistë nga Prishtina.

Drejtori i Qendrës së Telemjekësisë së Kosovës, dr. Ismet Lecaj, thotë se ekipi i inxhinierëve dhe mjekëve do të sjellin në Shqipëri të gjithë përvojën dhe pajisjet e duhura për projektin e ri.

“Ne jemi jashtëzakonisht të lumtur që atë cka kemi filluar në Kosovë para tetë vitesh tani do të fillojmë ta bëjmë edhe në Shqipëri.:një projekt të telemjekësisë në kujdesin e ministrisë së shëndetësisë dhe të kryeministrit Berisha.”- thotë zoti Lecaj.

Megjithatë në Lezhë të gjithë i shohin edhe investimet edhe vështirësitë teknike. Nëndrejtori i Spitalit Rajonal të Lezhës, dr.Llesh Ndreu, thotë se furnizimi me ilace nuk është i rregullt në cilësi dhe as në sasi, mungojnë aparatura dhe shtretër, ndërkohë që punonjësit e mjekësisë i shërbejnë me përkushtim rreth 200 mijë banorëve.

“Kemi mangësi në reanimacion, sepse nuk kemi vecse dy reanimatorë kur Lezhës i duhen më tepër për 24 orë. Kemi nevojë për toksikologë dhe për shërbime të tjera, që ne sot nuk i kemi. Kemi nevojë për aparatura të reja, si skaner, radiografi, të cilat shpesh na prishen dhe ngelemi pa shërbim” - thotë zoti Ndreu.

Por në Shkodër grupi i ekspertëve gjeti një situatë shumë më të mirë të teknikës mjekësore dhe informatike. Ata thonë se spitali i Shkodrës është i pari dhe më i miri në informatikën mjekësore, gjë do ta shndërrojë shpejt atë në njërën prej qendrave më të fuqishme të telemjekësisë në Shqipëri.

Nëndrejtorja e spitalit rajonal të Shkodrës, Gerta Naraci, thotë se spitali ka blerë disa aparatura të rëndësishme si qendra e internetit, zinxhiri i endoskopisë dhe rrjetin e informatizimit të ndërtesës, të cilat po i paraprijnë telemjekësisë dhe ndryshimit të realitetit problematik të shëndetësisë.

“Shumë shqetësime të realitetit vijnë prej këtij mosinformacioni. Pikërisht ky informacion që tani duket si luks dhe i parakohshëm më vonë do të na japë mundësinë që të krijojmë informacion, të hartojmë plane, të bëjmë studime mbi menaxhimin dhe kostot e shërbimeve për cdo pacient dhe të përgatiten politikat dhe projektet për të ardhmen” - thotë zonja Naraci.

Projekti për telemjekësinë në Ballkan është një nga ëndrrat e herëshme të doktor Latifit, ku tani janë angazhuar një numër mjekësh të njohur amerikanë dhe shqiptarë. Kirurgu i diplomuar për mjekësi në Universitetin e Prishtinës, punon dhe studion prej 20 vjetësh në SHBA. Pikërisht aty dr. Latifi ka arritur ta përfshijë projektin e telemjekësisë së Ballkanit në planin e veprimit të qeverisë amerikane për vendet e huaja, duke siguruar fonde të konsiderueshme nga departamenti amerikan i shtetit dhe agjencia per zhvillim ndërkombetar, USAID, për përhapjen e telemjekësisë në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni. //rd//

XS
SM
MD
LG