Lidhje

Analistët: Zgjedhjet serbe do të kenë pasoja në proceset politike në Kosovë


Zgjedhjet e Serbisë, të cilat Beogradi synon t'i organizojë edhe në zonat e banuara me pjesëtarë të komunitetit serb në Kosovë, megjithë kundërshtimin e autoriteteve vendase e ndërkombëtare, për analistët në Prishtinë do të kenë pasoja në proceset politike në Kosovë.

Një ditë para mbajtjes së zgjedhjeje parlamentare e lokale serbe, analisti Lulëzim Peci, tërheq vërejtjen se qëndrimi relativisht i butë i autoriteteve të Kosovës, i Misionit të Kombeve të Bashkuara, por në veçanti i Bashkimit Evropian, ka mundësuar mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë. "Unë mendoj se është shumë vështirë, nëse kemi pjesëmarrje shumë të madhe në këto votime, që dikush ta injoroj legjitimitetin e përfaqësuesve të serbëve në Kosovë të cilët dalin nga këto zgjedhje. Mirëpo, në anën tjetër, këto nuk do ta kenë legjitimitetin e vet, pra do të jemi në një situatë tejet të papërshtatshme në Kosovë për sa i përket kësaj çështjeje”.

Sipas analistit Lulzim Peci, zgjedhjet serbe janë në funksion të realizimit të planit serb për të ashtuquajturën ndarjen funksionale të serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë. Ndonëse ai thotë se kjo ndarja do të jetë e vështirë të realizohet, sipas tij, nëse rrethanat politike e shtyjnë Kosovën në atë drejtim, ka gjasa që në mënyrë të pjesshme edhe të ndodhë një lloj ndarjeje funksionale e serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë. "Mbajtja e këtyre zgjedhjeve do të shkaktojë edhe një traumë tjetër politike në Kosovë, sepse do të jetë një goditje pas shpine partive politike serbe të Kosovës të cilat janë duke marrë pjesë në institucione qendrore, edhe në Parlament e edhe në Qeveri, dhe këto zgjedhje në një formë do të rrisin hendekun e jo legjitimitetit të tyre në një masë shumë të madhe dhe do të shkaktojnë në një formë a tjetër një krizë për sa i përket qeverisjes në Kosovë”, thotë zoti Peci.

Autoritetet e sigurisë ndërkaq paralajmërojë se nesër do të kenë kujdes më të shtuar në teren, por nuk do të ketë shtim masash të posaçme të sigurisë. Zëdhënësi i Shërbimit Policor të Kosovës, Veton Elshani, thotë se policia është e gatshme të reagojë për të ruajtur rendin dhe qetësinë publikë. "Ne nuk mund t'i ndalojmë qytetarët që ata të dalin e të bëjnë sigurimin e vendvotimit të tyre, sidoqoftë punën e SHPK-së nuk do të mund ta zëvendësojë askush, mirëpo, e përsërisim dhe një herë se SHPK nuk është i përfshirë në ato zgjedhje, nuk do të ketë pjesëtarë të SHPK-së në afërsi të vendvotimeve, përpos patrullimeve të rregullta që ne do t'i kryejmë”, thotë zëdhënësi Elshani.

Rreth 100 mijë qytetarë serbë të Kosovës, të cilët kundërshtojnë pavarësinë e vendit, pritet të dalin në votimet e nesërme në përpjekje për të qenë pjesë e proceseve politike të Serbisë. //rd//

XS
SM
MD
LG