Lidhje

Cila do të jetë rruga e Serbisë pas zgjedhjeve të së djelës?


Shumë analistë thonë se zgjedhjet serbe të së djelës do të përcaktojnë drejtimin që do të marrë Serbia. Politikanët serbë e vunë temën e Kosovës në qendër të fushatës së tyre. Por në fakt sa e rëndësishme ishte Kosova për serbët që dolën dje në votime?

Zgjedhjet e parakohshme serbe, të cilat kryeministri Vojisllav Koshtunica i shpalli shumë shpejt pas pavarsisë së Kosovës, janë ndjekur me vëmendje të veçantë nga analistët. Dhe jo pa arësye. Shumë vëzhgues mendojnë se këto zgjedhje mund t’i japin drejtim rrugës që do të ndjekë Serbia në të ardhmen. Politikanët serbë e vunë Kosovën në qendër të fushatës së tyre zgjedhore dhe disa prej tyre bënë fushata zgjedhore edhe në Kosovë. Por sa e rëndësishme është në të vërtetë Kosova për votuesit serbë?

Robert Benxhamin, drejtor për Evropën Lindore në Institutin Demokratik Kombëtar, këtu në Washington, thotë se Kosova nuk është përparësia e votuesve serbë.

”Mendoj se çështja kryesore është ekonomia. Sondazhet tregojnë se janë vendet e punës, infrastruktura ekonomike, reformat sociale shqetësimi kryesor për votuesit serbë. Pra ata do të zgjedhin të dielën nëse integrimi evropian është rruga që përmbush nevojat e tyre ekonomike apo pakënaqësia e tyre ndaj pavarësisë së Kosovës do ta ndalë këtë rrugë integrimi drejt Evropës.”

Edhe Lindsey Lloyd, drejtor për Evropën në Institutin Ndërkombëtar Republikan, organizatë me programe të ndryshme në Serbi 10 vitet e fundit, mendon se për votuesit serbë, çështja e Kosovës, megjithëse e rëndësishme, nuk renditet në përparësitë e tyre kryesore. Në disa sondazhe të kësaj organizate me votuesit në Serbi, ekonomia është mjaft më lart në listën e përparësive për votuesit serbë.

Çështja e Kosovës nuk ka qenë aq e rëndësishme sa kishim menduar ne kur u shpallën këto zgjedhje. Edhe pse mbetet një çështje e rëndësishme për shumë serbë, ka shenja të paktën te një pjesë e popullatës për një dëshirë që vendi të ecë përpara dhe të mos merret më me këtë çështje. Kur pyesim njerëzit se cilat janë përparësitë e tyre për qeverinë e re që do të dalë nga këto zgjedhje, Kosova nuk është në krye të kësaj liste, por janë vendet e punës dhe ekonomia”.

Por politikanët serbë kanë vazhduar ta mbajnë çështjen e Kosovës si një temë kyçe në fushatën e tyre madje kanë bërë paralajmërime për formimin e një parlamenti serb në pjesën veriore të Kosovës. I dërguari special i Kombeve të Bashkuara në Kosovë Joakim Ryker i ka quajtur këto zgjedhje si të paligjshme dhe në kundërshtim me rezolutën 1244. Edhe udhëheqësit e Kosovës e kanë kundërshtuar mbajtjen e tyre.

Por cilat janë sfidat që këto zgjedhje paraqesin për shtetin e ri të Kosovës? “ Unë kam pasur kontakte me zyrën tonë në Prishtinë dhe të gjithë janë të shqetësuar rreth pasojave politike. Këto zgjedhje mund të thellojnë këtë lloj ndarjeje të pjesës veriore. Duhet të presim të shohim se cili do të jetë rezultati dhe çfarë qëndrim do të mbajnë serbët që jetojnë në jug të Lumit Ibër," thotë zoti Benxhamin.

Gara mes partive kryesore serbe ishte e ashpër. Udhëheqësi i Partisë Radikale, Tomislav Nikoliç, tha se edhe pa demokratët formimi i koalicionit do të ishte i mundur. Presidenti Boris Tadiç deklaroi të djelën se qeveria e tij nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës, duke iu kundërvënë kështu shumicës së vendeve evropiane që e kanë njohur atë. Mbetet për t'u parë se çfarë politikash do të ndjekë qeveria serbe që do të formohet. //IB

XS
SM
MD
LG