Lidhje

Shpërthejnë luftimet në Tripoli


Në qytetin-port të Tripolit në veri të Libanit shpërthyen përsëri luftimet sot, ndërkohë që politikanët presin një delegacion të Lidhjes Arabe, i cili do të shkojë atje për të negociuar një marrëveshje ndërmjet përkrahësve të qeverisë dhe opozitës së udhëhequr nga Hezbollahu.

Ministrat e Jashtëm të Lidhjes Arabe nxorën dje një deklaratë, ku bënin thirrje për ndalim zjarri ndërmjet fraksioneve ndërluftuese libaneze. Delegacioni i Lidhjes pritet të mbërrijë brenda pak ditësh.

Aeroporti i Bejrutit vazhdon të jetë i mbyllur si rezultat i barrikadave të ngritura nga Hezbollahu. Të paktën 61 vetë janë vrarë dhe rreth 200 janë plagosur që kur shpërthyen luftimet të mërkurën e kaluar ndërmjet përkrahësve të qeverisë që gëzon mbështetjen e Perëndimit dhe opozitës së udhëhequr nga Hezbollahu.

Sot zyrtarët libanezë të sigurimit thanë se luftime të ashpra shpërthyen për të dytën herë në qytetin Tripoli.

Dje, të paktën 13 vetë gjetën vdekjen në rajonet malore përreth Beirutit, mes përkrahësve të udhëheqësit pro-qeveritar të sektit Druzh, Walid Jumblatt dhe luftëtarëve të opozitës, të grupit shiit Hezbollah.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Dana Perino tha sot se Presidenti Xhorxh Bush është i shqetësuar për sigurinë e civilëve libanezë që gjendjen në mes të zjarrit dhe mendon se libanezët meritojnë demokracinë për të cilën votuan. Zëdhënësja tha se Presidenti pritet ta diskutojë çështjen e Libanit gjatë udhëtimit të tij në Lindjen e Mesme këtë javë. //rd//

XS
SM
MD
LG