Lidhje

Shtohet numri i viktimave të tërmetit në Kinë


Në Kinë, autoritetet thonë se një tërmet i fuqishëm ka shkaktuar vdekjen e afro 8 mijë e 700 vetëve në provincën Siçuan në jugperëndim të vendit.

Agjencia shtetërore e lajmeve HSINHUA njoftoi se shifra e të vrarëve mund të jetë 3-5 mijë vetë vetëm në distriktin Beichuan të provincës. Zyrtarët lokalë thonë se të paktën 80 për qind të godinave atje janë shembur dhe 10 mijë persona mendohet se janë plagosur. Nuk ka pasur shumë informacion për epiqendrën e tërmetit, distriktin Wenchuan ku jetojnë 100 mijë vetë.

Agjencia Hsinhua thotë se rrugët që të çojnë atje janë shkatërruar dhe stuhitë kanë bërë të pamundur uljen e helikopterëve ushtarakë. Hsinhua thotë se të paktën 30 persona kanë vdekur, por nuk thotë se nga e ka marrë këtë informacion. Po sipas njoftimeve, rreth 900 nxënës të dy shkollave fillore kanë mbetur të varrosur nën rrënoja.

Hsinhua thotë se të paktën 50 trupa janë nxjerrë nga rrënojat. Edhe dy uzina kimike në Sichuan janë dëmtuar, duke varrosur të gjallë qindra njerëz dhe detyruar evakuimin e disa mijëra të tjerëve. Të paktën 61 persona njoftohet se kanë humbur jetën në provincën Shaanxi pranë Sichuanit. //rd//

XS
SM
MD
LG