Lidhje

Kryetari i BDI, Ali Ahmeti thotë se i ka shpëtuar një atentati


Në Maqedoni, Kryetari i Partisë Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti tha se sot atij iu bë një atentat në një fshat të Tetovës.

Zoti Ahmeti tha se ai dhe anëtarë të partisë së tij ndodheshin në një tubim parazgjedhor në fshatin Rakovec kur persona të armatosur kishin hapur zjarr. Zoti Ahmeti tha se e kishte ndërprerë tubimin me votuesit dhe kishte hipur në makinën e tij të blinduar, ndaj së cilës ishte qëlluar përsëri. Ai tha se nuk kishte pësuar gjë nga të shtënat por ishte plagosur një fëmijë.

Zoti Ahmeti tha se personat që sulmuan janë të njohur për të si edhe për vetë policinë por nuk përmendi konkretisht se cilët ishin ata.

Ndërkohë, organet e rendit kanë arrestuar një person të dyshuar. Zoti Ahmeti bëri thirrje që ngjarje të tilla të mos marrin “përmasa të papëlqyeshme”. Ai paralajmëroi se incidente si ky mund të krijojnë emër të keq për shqiptarët, duke u dhënë shkas të tjerëve t’i përshkruajnë si faktorë destabilizues për rajonin.

Fushata parazgjedhore në Maqedoni që filloi para një dite është shoqëruar me shumë raste dhune. Disa shtabe parazgjedhore të BDI-së janë sulmuar ose shkatërruar me armë zjarri. BDI-ja ka fajësuar Partinë Demokratike Shqiptare por kjo e fundit i ka mohuar akuzat duke thënë se BDI-ja po përpiqet të hiqet si viktimë para faktorit ndërkombëtar.

Ambasada amerikane në Shkup i ka dënuar aktet e dhunës në fushatë ndërsa ka bërë thirrje që autoritetet të hetojnë rastet dhe të zbulojnë autorët. //rd//

XS
SM
MD
LG