Lidhje

Gara presidenciale dhe superdelegatët


Në Shtetet e Bashkuara, kandidati demokrat për president Barak Obama ka arritur të eliminojë epërsinë që kishte rivalja e tij brenda së njëjtës parti, Hillary Clinton, në numrin e përgjithshëm të superdelegatëve – zyrtarët që do të vendosin se cili prej tyre do ta fitojë emërimin e Partisë Demokrate. Gara e radhës mes tyre do të zhvillohet nesër në Virxhinian Perëndimore ndërsa më 20 maj në shtetet Oregon dhe Kentaki.

Ky ndryshim i ka dhënë më tepër besim senatorit Obama në fitore, madje zëdhënësi i fushatës së tij tha dje se beteja me zonjën Clinton për emërimin e Partisë Demokrate do të përfundojë së shpejti. Senatori Obama po e drejton tani vemendjen jo më nga rivalja Clinton por nga republikani John McCain, i cili e ka të siguruar emërimin e partisë së tij. Ai tha se ka ardhur koha që demokratët të bashkohen: "Natyrisht, njerëzit kanë qenë në ankth për një farë atmosfere përçarjeje që ekziston brenda partisë por do të desha t’i siguroj ata se çfarëdo që të ndodhë, ne do të bashkohemi,” tha zoti Obama duke folur në shtetin Oregon. Ai tha se në përparësitë e tyre demokratët kanë një ndryshim thelbësor me zotin John McCain, cili, tha zoti Obama dëshiron të vazhdojë luftën e Presidentit Bush në Irak.

Këto ditë, 5 superdelegatë të tjerë shprehën mbështetjen për zotin Obama, duke përfshirë presidentin e një sindikate të madhe dhe një kongresmen të Nju Xhersit, i cili më parë përkrahte zonjën Clinton. Superdelegatët në Partinë Demokrate numërohen në rreth 800. Ata janë përgjithësisht zyrtarë ose aktivistë të rëndësishëm që mund të votojnë për secilin prej kandidatëve në kuvendin e partisë dhe deri tani rreth 270 prej tyre nuk kanë thënë se cilit do t’ja japin votën.

Gjithsesi zonja Clinton e ka vazhduar fushatën dhe thotë se presione të tilla për t’u larguar ka dëgjuar edhe më parë por pastaj ka dalë fituese në shtetet New Hampshire, Ohio, Texas dhe Pensilvani. “Unë po kandidoj për të qenë presidente e të 50 shteteve,” deklaroi ajo, duke nënkuptuar se do ta vazhdojë fushatën deri sa të jetë votuar edhe në shtetin e fundit. Zonja Clinton dje ishte në shtetin e Virginias Perëndimore ku mendohet se do të fitojë, ndërsa zoti Obama nuk bëri fushatë për ta kaluar të dielën me familjen në Çikago.

Një tjetër shenjë që duket se flet në favor të zotit Obama është fakti se edhe kandidati republikan John McCain po përmend gjithnjë e më shumë në fushatën e tij diferencat që ka me zotin Obama duke mos e përmendur senatoren Clinton. //rd//

XS
SM
MD
LG