Lidhje

Ali Ahmeti:  Nuk kemi nevojë për dhunë, duhet të ecim përpara


Fushata elektorale në Maqedoni ka filluar e acaruar që në ditët e para të saj. Dje në Tetovë pati një sulm ndaj Kryetarit të Partisë Bashkimi Demokratik për Integrimin, në Maqedoni, Ali Ahmeti. Zëri i Amerikës i mori zotit Ahmeti një intervistë për programin “DITARI”.

Zëri i Amerikës: Zoti Ahmeti, a vazhdoni t’u përmbaheni ende akuzave të ngritura dje dhe sot, se përpjekja për atentat ndaj jush ishte organizuar nga Partia Demokratike Shqiptare dhe ku i bazoni këto akuza?

Ali Ahmeti: Ne tani presim që organet e drejtësisë ta thonë fjalën e vet. Ne të gjitha argumentet i kami pasqyruar. Kemi komunikuar edhe me organet e drejtësisë, edhe të hetuesisë. Gjithashtu, të gjitha të dhënat ua kemi dhënë përfaqësuesve të huaj në Maqedoni, duke filluar nga SHBA, Organizatës së BE-së dhe OSBE-së, si dhe përfaqësues të tjerë diplomatikë në vend. Dihet që këto argumente, që janë paraqitur nga pala jonë duhet të shqyrtohen dhe organet e drejtësisë duhet të gjykojnë dhe të vlerësojnë drejt mbi situatën. Është bërë ekspertiza edhe në vend; të gjitha gjërat janë tanimë të dukshme, dhe unë pres një hetim të drejtë, pa u imponuar nga partitë politike. Për fat të keq, në Maqedoni shumë institucione janë të politizuara, të manipuluara nga udhëheqës partiakë, por megjithatë, shpresoj edhe tek presioni ndërkombëtar që ushtrohet dhe nga vendet që duan që Maqedonia të ecë përpara; do të ketë një qasje dhe ndriçim të rastit.

Zëri i Amerikës: Pra, ju prisni një përgjigje nga oragnet e specializuara të drejtësisë....

Ali Ahmeti: Sigurisht, që ne presim një përgjigje nga organet e specializuara të drejtësisë.

Zëri i Amerikës: Në reagimin e saj, PDSH e ka dënuar sulmin e djeshëm ndaj jush, madje edhe disa sulme të mëparshme ndaj disa shtabeve parazgjedhore, në Kondovë, Likovë, apo Saraj, duke thënë se Partia juaj, BDI kërkon të hiqet si viktimë para elektoratit shqiptar, por edhe para ndërkombëtarëve...Komenti juaj ndaj këtyre akuzave.

Ali Ahmeti: BDI nuk do të paraqitet viktimë, pasi nuk ndërtohet nga njerëz që kanë qenë viktima në të gjitha këto kohëra, por janë njerëz me dinjitet dhe shumë krenarë; mirëpo argumentet në terren tregojnë të vërtetën, siç thatë, se BDI është sulmuar me armë zjarri që nga Tearca deri në Vrapçisht të Gostivarit dhe kjo e vërtetë nuk fshihet dot. I gjithë qyteti i Tetovës është mbuluar me flamuj të PDSH-së, dhe në qytet nuk valëvitet asnjë flamur i BDI-së. Unë nuk mund të akuzoj shoqatën humanitare “Nënë Tereza” që t’i ketë kryer këto akte vandale, as nuk mund të akuzoj shoqatat humanitare të tjera në Maqedoni, sepse ato nuk i heqin simbolet e partive, nuk sulmojnë shtabet e partive me armë zjarri, ato merren me punë humanitare; prandaj në këto çështje, sigurisht që qëndron PDSH dhe me këtë rast unë i lus, që të mos bëjnë akte të tilla vandale, që të mos luftojnë me akte dhune oponentin e vet politik, por të matemi me programe zgjedhore, të matemi me ide, të matemi me mençuri, të matemi me punë të mira dhe njerëzit le të jenë ata që do të vlerësojnë më i qershor, se kush është më i miri; se unë nuk dua të demonstroj muskujt me popullin tim, por muskujt, trimëria dhe guximi tregoheshin më parë dhe ne e kemi bërë këtë, në të mirë të të drejtave të shqiptarëve, në të mirë të njerëzve tanë. Sot jemi plotësisht në kohëra të tjera, sot duhet t’u drejtohemi me mesazhe pozitive njerëzve, duhet të ecim përpara dhe nuk kemi nevojë të ushtrojmë dhunë dhe të terrorizojmë qytetarët fizikisht e moralisht, që ata të mos dalin më 1 qershor në zgjedhje; përkundrazi, dita e zgjedhjeve është ditë feste, njerëzit duhet të dalin të gëzuar dhe le të përcaktohen për programin më të mirë, për njerëzit më të mirë, që ata do t’i përfaqësojnë 4 vitet e ardhshme në pushtetin, apo në Kuvendin e Maqedonisë.

Zëri i Amerikës: Përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare: Ambasada Amerikane, Zyra e BE-së, Zyra e OSBE-së në Shkup, i kanë dënuar këto sulme, duke bërë thirrje për zhvillimin e një fushate paqësore, siç thatë edhe ju. Sipas jush, sa të dëmshme janë këto sulme për vizionin që mund të krijohet për shqiptarët?

Ali Ahmeti: Sigurisht, që këto sulme kanë pasojat e veta. Mirëpo unë mendoj se qasja është tepër e gabueshme e zotit Thaçi, por edhe e partisë që ai përfaqëson. Por unë nuk mund të akuzoj të gjithë PDSH-në, sepse kanë njerëz që distancohen dhe shumica e anëtarëve të tyre i dënojnë këto akte vandale, sepse nuk duan vandalizëm dhe dhunë njerëzit, duan përparim, duan begati. Mirëpo, njerëzit edhe i trembin që të mos dalin në 1 qershor në zgjedhje dhe mosdalja në zgjedhje nuk na nderon neve. Pikërisht, kjo bëhet që të terrorizohen anëtarë dhe simpatizantë të votuesve të BDI-së. Me këto metoda dhe mënyra ne nuk i nderojmë as shqiptarët, por as vetveten; sepse shqiptarët janë popull me dinjitet dhe akte të tilla janë të papranueshme. Mitingu i sotëm tregoi se njerëzit solidarizohen të dënojnë dhunën dhe aktet e turpshme. Unë mendoj që gjëra të tilla duhet të marrin fund një herë e përgjithmonë dhe të mos jemi në ankth, që kur të vijnë zgjedhjet e ardhshme, të thyhen zyrat e shtabeve, të ketë gjuajtje e kështu me radhë.

Zëri i Amerikës: Le t’u kthehemi zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare që zhvillohen më 1 qershor në Maqedoni. Partia juaj është në opozitë me partinë tjetër shqiptare, PDSH-në. Të dyja partitë tuaja përfshijnë në programin e tyre mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni. Cili është dallimi thelbësor mes dy partive tuaja?

Ali Ahmeti: Dallimi është shumë i madh mes nesh. Atë që e thotë BDI, edhe bën, kurse atë që thotë PDSH, vetëm që bën premtime dhe asgjë nuk bën. Këtë e ka treguar edhe të koha e të qenit të tyre për 18 muaj në qeverinë e Maqedonisë. Unë nuk them që ne për 4 vite bëmë mrekullira, por së paku, ja ndryshuam fizionominë dhe ja rritëm krenarinë dhe dinjitetin shqiptarëve këtu, duke filluar që nga Universiteti i Tetovës, deri tek vendosja e shtatores së kryekomandantit të shqiptarëve, Skënderbeut, në qendër të Shkupit, si dhe instalimin e gjuhës dhe përfaqësimin e drejtë të shqiptarëve. Tani unë nuk dua të numëroj dallimet mes BDI dhe PDSH, por për dijeninë tuaj dhe të opinonit, mendoj që dallimi thelbësor është edhe ky: atë që ne e themi, edhe e bëjmë. Ne kemi krijuar besim tek shqiptarët, që vërtet votën nuk e trajtojmë si votë në të gjithë botën, por për ne vota është besë dhe përherë i dalim zot besës së dhënë.

Zëri i Amerikës: Në se do të fitonit në zgjedhje, cilat do të ishin disa nga objektivat që do të kishte partia juaj për përmirësimin e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni?

Ali Ahmeti: Zyrtarizimi menjëherë i gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në Maqedoni, i cili ka qenë objektiv kryesor i yni në vitin 2006, zgjidhja e statusit legal të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, implementimi i plotë i marrëveshjes së Ohrit, përfaqësimi i drejtë i shqiptarëve në të gjitha institucionet, integrimi i Maqedonisë në NATO, në BE, bashkëpunim i hapur me vendet në rajon, dhe sidomos me fqinjët, me Shqipërinë, Kosovën dhe të tjerët. //ii

XS
SM
MD
LG