Lidhje

Administrata amerikane akuzohet për injorimin e korrupsionit në Irak

  • Deborah Tejt

Dy ish zyrtarë të departamentit amerikan të shtetit thanë se administrata e presidentit Bush ka bërë shumë pak për të luftuar korrupsionin në Irak. Gjatë një dëshmie që dhanë dje para kongresit amerikan, ata thanë se politika amerikane ka lejuar që korrupsioni të shtohet, akuzë që departamenti i shtetit e hodhi poshtë kategorikisht.

Arthur Brenan shërbeu vitin e kaluar për një kohë të shkurtër në postin e drejtorit të zyrës së departamentit të shtetit për Përgjegjshmërinë dhe Transparencën në Bagdat.

Në dëshminë e tij para një komisioni të kongresit, ku nuk mori pjesë asnjë republikan, zoti Brenan akuzoi administratën e presidentit Bush se pengoi përpjekjet e zyrës së tij për të hetuar dhe luftuar korrupsionin në Irak. Ai tha se administrata nuk e ndoqi me regorozitet korrupsionin për shkak të shqetësimeve se një gjë e tillë do të dëmtonte marrëdhëniet me qeverinë irakiane.

“Politika e Departamentit të Shtetit jo vetëm që kontradiktoi misionin anti-korrupsionit, por tërthorazi kontribuoi dhe lejoi që korrupsioni të shtohej në nivelet më të larta të qeverisë irakiane”.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Tom Kejsi, i tha Zërit të Amerikës se nuk është e vërtetë që departamenti i tij nuk i kushtoi rëndësi korrupsionit në Irak.

Zoti Brenan tha se korrupsioni i ka kushtuar Irakut dhe Shteteve të Bashkuara miliarda dollarë, madje ai paralajmëroi se një pjesë e këtyre parave mund të kenë përfunduar në favor të kryengritësve.

Xhejms Matil, i cili shërbeu si shefi i personelit në zyrën e Përgjegjshmërisë e Transparencës nga tetori i vitit 2006 deri në tetor 2007, është i një mendimi se administrata e presidentit Bush nuk ka bërë sa duhet për t’i kërkuar qeverisë irakiane të luftojë korrupsionin.

“Është e llogjikshme të arrihet në përfundimin se arsyet për këtë janë mungesa e kompetencës, neglizhenca me dashje ose veprimi për qëllime politike nga ana e administratës së presidentit Bush, më specifikisht nga ana e Departamentit të Shtetit”.

Zoti Matil tha se zyra e Përgjegjshmërisë dhe Transparencës u eliminua në dhjetor të vitit të kaluar.

Senatori demokrat Byron Dorgan nga Dakota e Veriut dhe kryetar i komisionit, tha se ka në plan t’i dërgojë një letër Sekretares së Shtetit, Kondolisa Rajs për t’i kërkuar përgjigje rreth dëshmive të djeshme të dy ish zyrtarëve të departamentit të shtetit.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtertit Kejsi, i cili foli me Zërin e Amerikës përmes telefonit, tha se dy ish punonjësit Brenan and Matil kanë të drejtën të shprehin mendimin e tyre, por ai shtoi se nuk është e vërtetë që Uashingtoni nuk ka përfillur çështjen e korrupsionit në Irak. Ai tha se Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë korrupsionin një çështje shumë serioze dhe kanë punuar me irakianët për një kohë shumë të gjatë për ta luftuar atë. (ze)

XS
SM
MD
LG