Lidhje

Gara e demokratëve në Virxhinian Perendimore


Votuesit në shtetin e Virxhinias Perendimore po marrin pjesë sot në një nga zgjedhjet e fundit paraprake presidenciale. Pretendentët demokratë Hillary Clinton dhe Barack Obama bënë fushatë në këtë shtet dje. Senatorja Klinton pritet të fitojë këtë garë por me vetën 28 delegatë, Virxhinia Perendimore nuk ka të ngjarë të ketë ndonjë ndikim të madh në numrin e përgjithshëm të delegatëve.

Zoti Obama kryeson ndaj zonjës Klinton për për nga numri i delegatëve edhe ai i superdelegatëve. Superdelegatët janë zyrtarë të partisë dhe të zgjedhur në poste publike të cilët janë të lirë të votojnë për secilin kandidat në kuvendin e partisë në gusht në Denver të Kolorados. Kandidati i pritshëm republikan, John McCain ishte në shtetin perendimor të Oregonit dje ku mbajti një fjalim për ndryshimet klimatike.

Ndërsa mbeten vetëm 5 zgjedhje paraprake, për senatoren Hillary Klinton bëhet gjithnjë e më e vështirë që të fitojë emërimin e Partisë Demokrate për zgjedhjet presidenciale të nëntorit.

Shumë analistë, mes tyre edhe disa demokratë, po i bëjnë thirrje zonjës Klinton të tërhiqet nga gara dhe të bëjë të mundur për partinë t’i angazhojë të gjitha energjitë në mbështetje të fushatës së senatorit Barak Obama për zgjedhjet e përgjithshme.

Drejtori i fushatës së zonjës Klinton la të kuptohet këto ditë se kandidatja do të tërhiqej mjaft kohë para kuvendit të partisë, ku shpallet kandidati për në zgjedhjet e nëntorit. “Do të qëndroj në garë derisa të dalë fituesi dhe natyrisht që do të përpiqem me të gjitha mundësitë të jem fituesja.”

Senatorja Klinton e kaloi humbjen në Karolinën e Veriut dhe fitoren e ngushtë në Indiana të martën e kaluar me një ton plot vendosmëri. Por gjithnjë e më tepër, shumë demokratë thonë se nuk ka të ngjarë që ajo të mundë senatorin Barak Obama, i cili po i afrohet gjithnjë e më shumë emërimit të Partisë Demokrate.

Por zonja Klinton vazhdon të shpresojë për një mrekulli, veçanërisht për përfshirjen e rezultatit të zgjedhjeve paraprake në shtetet Florida dhe Miçigan. "Mendoj se kushdo e pranon se ne duhet të zgjidhim çështjen se ç’do të bëhet me delegatët nga Florida dhe Miçigani. Unë vazhdoj të theksoj se ne nuk mund t’i lëmë mënjanë votuesit në këto shtete. Dhe shpresoj se do të arrijmë në një zgjidhje”. Të enjten, zonja Klinton i dërgoi një letër senatorit Barak Obama, në të cilën i kërkonte të ndryshonte mendim dhe së bashku t’i kërkonin Komitetit Kombëtar Demokrat që të pranonte delegatët e këtyre dy shteteve në kuvendin e partisë.

Udhëheqësit e partisë vendosën që këta delegatë nuk do të marrin pjesë në kuvendin e gushtit sepse Florida dhe Miçigani mbajtën zgjedhjet paraprake para kohe. Senatorja Klinton fitoi ndjeshëm në të dy shtetet. Kandidati demokrat për president në vitin 1972, ish senatori Xhorxh Megavërn, shprehu hapur mendimin që, sipas shumë analistëve, po e përqafojnë gjithnjë e më shumë demokratë. "Mendoj se ka ardhur koha që të gjithë demokratët të mbështesin një kandidat. Mendoj se ky kandidat duhet të jetë Barak Obama, duke pasur parasysh fitoret e tij të deritanishme në zgjedhjet paraprake.”

Megjithë këto thirrje, zonja Klinton ende ushqen shpresa duke u bazuar tek mbështetja e madhe mes votuesve të bardhë të shtresës punëtore në 5 zgjedhjet e fundit paraprake. Por anketat e opinionit ofrojnë një parashikim të përzier, thotë analisti demokrat, Pitër Fen. "Nuk ka dyshim që Hillari Klinton do të fitojë ndjeshëm në Virxhinian Perëndimore dhe në Këntaki. Sipas anketave të opinionit, ajo gëzon një mbështetje prej 20 deri 30 për qind më të madhe se sa zoti Obama. Por situata në Dakotën e Jugut, Montana dhe në Oregon, duket se është në favor të senatorit Obama”.

Senatori Obama i tha rrejtit televiziv amerikan NBC se ai mund të deklarojë se ka siguruar emërimin e partisë menjëherë pas zgjedhjeve të 20 majit në Oregon nëse fiton atje, duke bllokuar përpjekjet e fundit të zonjës Klinton për fitore në garat që mbeten. "Nëse në atë kohë unë do të kem shumicën e delegatëve të deklaruar, që është e mundur, atëhere mendoj se mund të shpall fitoren”. Analistë nga të dyja partitë thonë se sa më parë që të dalë kandidati demokrat aq më shpejt do të fillojë beteja midis republikanëve dhe demokratëve për Shtëpinë Bardhë. //rd//

XS
SM
MD
LG