Lidhje

Trajtim gjenetik i verbimit;Efekti i inkubacionit tek foshnjet


Trajtimi gjenetik u kthen shikimin të verbërve

Mjekët spitalin e fëmijëve në Filadelfiat njoftuan se kanë rikthyer shikimin tek të verbërit duke riparuar gjenin, dëmtimi i të cilit shkakton humbjen e të shikimit. Ky zhvillim cilësohet si një mrekulli në trajtimin e verbimit dhe një hap i jashtëzakonshëm në fushën e terapisë gjenetike. Shkencëtarët mendojnë se kjo mënyrë hap rrugën për trajtime të reja të 140 formave të tjera verbimesh si pasoje e dëmtimit të gjenit përgjegjës për shikimin

E lindur thuajse e verbër, sytë e Manuelës dridhen. Duke parë vetëm forma të turbullta, ajo, njësoj si Tomasso që vuan nga i njëjti verbim gjenetik, mund të vrojtojë vetëm me vështirësi dhe mund të renditet mes atyre që verbohen plotësisht para se të arrijnë moshën 40 vjeç.

Këta janë doktorët Maguire. Al është kirurg dhe bashkëshortja e tij Jean Bennet, eksperte e terapisë gjenetike. Doktor Maguire tregon se një ditë e pyeti të shoqen e tij nëse ishte e mundur inplantimi i një gjeni në retinë për të zevendësuar gjenin e dëmtuar. Dhe ajo u përgjigj se po. Kështu filloi rruga e tyre në trajtimin e verbimit.

20 vjet më vonë, pas shumë kërkimesh, eksperimentesh e dështimesh, ata rikthyen shikimin tek qentë në laborator dhe ishin gati ta provonin këtë metodë tek njerëzit nëpërmjet terapisë gjenetike.

Ata gjetën një mënyrë për inplantimin e gjeneve në pjesën e mbrapme të syrit dhe i lanë aty derisa të zhvilloheshin.

Manuela, studente, ëndërronte se ky transplantim gjenetik mund t’a ndihmonte që një ditë të lexonte. Ajo pranoi menjëherë t’i nënshtrohej kësaj procedure.

5 javë pas operacionit, mjekët vunë re se sytë e Manuelës filluan të reagonin ndaj dritës. Bebja e syrit zmadhohej e ngushtohej në varësi të dritës njësoj si sytë normalë dhe ajo filloi të dallonte shkronjat e alfabetit.

Shkencëtarët mendojnë se kjo mënyrë trajtimi gjenetik hap rrugën për trajtime të reja të 140 formave të tjera verbimesh si pasoje e dëmtimit të gjenit përgjegjës për shikimin, si dhe për trajtimin e dëmtimit macular, sëmundje verbimi që prek rreth 2 milionë amerikanë. Por mbi të gjitha, ekspertët e shohin këtë zhvillim si hap të madh drejt një të ardhme kur sëmundjet jo gjithmonë do të cilësohen të pashërueshme.

Efektet e periudhës së inkubacionit tek foshnjet

Një grup mjekësh italianë thonë se valët elektromagnetike të inkubatorëve në maternitete mund të afektojë ritmin e rrahjeve të zemrës tek foshnjet e sapolindura. Tani ekspertët po kërkojnë kryerjen e studimeve të tjera për të përcaktuar nëse inkubatorët lënë ndonjë efekt të përherëshëm në shëndetin e foshnjeve.

Inkubatorët përdoren gjerësisht për të mbajtur ngrohtë foshnjet e sëmura ose të lindura parakohe, duke minimizuar kështu sforcimin apo stresin në organizimin të tyre.

Por rezultatet paraprake të një studimi tregojnë se fushat elektromagnetike që krijohen nga inkubatorët mund të afektojnë ndryshueshmërinë e ritmit e rrahjeve të zemrës së bebeve.

Në Siena të Italisë, mjekët morrën në shqyrtim 43 foshnje të porsalindura. 27 foshnje u analizuan në inkubator, kur aparati punonte dhe kur ishte i fikur. 16 foshnjet e tjera shërbyen si grup krahasimi.

Rezultatet treguan se foshnjet në inkubator provuan rënie në ndryshueshmërinë e ritmit të rrahjeve të zemrës kur aparati punonte. 16 foshnjet e tjera nuk pësuan asnjë ndryshim në rrahjet e zemrës.

Kur rënia e ndryshueshmërisë së ritmit në rrahjet e zemrës vihet re tek të rriturit që vuajnë nga sëmundje të zemrës, kjo shihet si një prognozë jo e mirë e pacientit. Por çfarë tregon ky ndryshim tek foshnjet, për këtë mjekët nuk janë të sigurt.

Ndryshueshmëria e ritmit të zemrës u shtua përsëri kur inkubatorët ndërprenë punën, prandaj ekspertët po kërkojnë kryerjen e studimeve të tjera për të përcaktuar nëse inkubatorët lënë ndonjë efekt të përherëshëm në shëndetin e foshnjeve.
XS
SM
MD
LG