Lidhje

Senatorja Klinton deklaron se do të vazhdojë garën pas fitores në Virxhinian Perëndimore


Këtu në Shtetet e Bashkuara, Senatorja Hillari Klinton deklaroi se do ta vazhdojë betejën për të fituar emërimin e partisë demokrate si kandidate për presidente. Ajo i bëri komentet mbrëmë pas fitores së thellë por më tepër simbolike ndaj rivalit Barak Obama në zgjedhjet paraprake të Virxhinias Perëndimore. Fitorja ishte mjaf e thellë, 67 me 26 përqind, por Virxhinia Perëndimore ka vetëm 28 delegatë, një numër mjaft i vogël për t’i dhënë shtytje fushatës së zonjës Klinton dhe ekspertët thonë se zonja Klinton nuk mund ta arrijë dot senatorin Obama për nga numri i delegatëve që nevojiten për të siguruar emërimin.

Senatorja Hillari Klinton u tha simpatizantëve në kryeqytetin Çarlston të Virxhinias Perëndimore se nuk do të heqë dorë nga beteja për të fituar emërimin demokrat. "Miqtë e mij, besimi që tregoi ky shtet malor më ka empcionuar. Tani jam më e vendosur se kurrë për ta vazhduar fushatën."

Por vëzhguesit thonë se kjo fitore e zonjës Klinton nuk e dëmton thuajse fare epërsinë e senatorit Obama në garën mes demokratëve. Fushata e zonjës Klinton shpreson se fitorja e djeshme në këtë shtet që mbizotërohet nga votues të bardhë të shtresës punëtore do të bindë superdelegatët se ajo është një kandidate më e mirë.

Superdelegatët janë përfaqësues të partisë demokrate apo zyrtarë të zgjedhur të cilët janë të lirë të votojnë për cilindo kandidat në kuvendin e partisë për emërimin që do të mbahet në muajin gusht. Mbështetja e tyre është me rëndësi kritike por në pesë garat zgjedhore që mbeten, asnjëri prej dy kandidatëve nuk ka shanse të fitojë numrin e mjaftueshëm të delegatëve që do t’i bënte të siguronin emërimin e partisë.

Ndërkohë, zoti Obama, ishte dje në shtetin Mizuri, ku përsëri kritikoi kandidatin republikan Xhon Mekejn, duke e lidhur atë me politikat e presidentit Bush, që sipas zotit Obama kanë dështuar. "Për dy dekada, ai ka mbështetur politika të cilat e kanë zhvendosur barrën nga grupet e interesit tek familjet punëtore. Dhe përgjigja e tij e vetme ndaj problemeve të krijuara nga politikat e Presidentit Bush është: le t’u japim këtyre politikave edhe katër vjet të tjera për të dështuar."

Senatori Mekejn, nga ana e tij bëri dje fushatë në shtetin perëndimor Uashington. Ai akuzoi senatorët Obama dhe Klinton se janë të vonuar në mbështetjen që i japin luftës për mbrojtjen e mjedisit. Zoti Mekejn kërkoi që të vihen kufij të detyrueshëm për sasinë e gazrave që çlirohen në atmosferë, gjë që flet për një shkëputje të madhe të tij nga politikat e Presidentit Bush. //bsa//

XS
SM
MD
LG