Lidhje

Senatori Obama fiton mbështetjen e ish rivalit të tij Xhon Eduards


Kandidati demokrat për president, Barak Obama, ditoi mbështetjen e një prej ish rivalëve të tij mbrëmë, një ditë pari humbi në zgjedhjet paraprake në shtetin e Virxhinias Perëndimore ndaj Senatores Hillari Klinton.

Senatori Obama fitoi mbështetjen e ish senatorit Xhon Eduards, një prej rivalëve të tij në fushatën për të fituar emërimin e Partisë Demokrate si kandidat i saj në zgjedhjet e përgjithëshme presidenciale në nëntor.

Zoti Eduards u paraqit papritur me Senatorin Obama në një miting fushate në Grand Rapids të shtetit Miçigan.

"Është dikush që me gjithë zemër mendon se ka ardhur koha për një Amerikë, jo dy, dhe ai njeri është Barak Obama”.

Zoti Eduards u largua nga gara për emërimin e kandidatit të Partisë Demokrate për president në fillim të vitit, pas rezultateve dekurajuese në zgjedhjet paraprake të fillimit.

Ai mund ta ndihmojë Senatorin Obama të tërheqë votuesit e bardhë të shtresës punëtore, mbështetja e të cilëve ka qënë e dobët për kryesuesin e garës së demokratëve në disa nga zgjedhjet paraprake më të fundit.

Mbështetja e ish Senatorit Eduards vjen një ditë pasi Senatori Obama u mund keq nga Senatorja Hillari Klinton në Virxhinian Perëndimore, kryesisht sepse shtresa punëtore e mbështeti atë. Por megjithë fitoren e saj të madhe në këtë shtet, praktikisht zonja Klinton nuk ka shanse që ta arrijë Senatorin Obama për nga numri i delegatëve.

Për më tepër, Obama vazhdon të avancojë, duke siguruar mbështetjen e të ashtuquajturve superdelegatë, veprimtarë të partisë dhe zyrtarë të Partisë Demokratike, që mund të mbështesin cilin kandidat të duan.

Megjithëse shanset e saj për të fituar emërimin e Partisë Demokrate janë pothuajse zero, Senatorja Klinton mbrojti vendimin e saj për të qendruar në garë në një intervistë me kanalin televiziv, NBC.

"Ne jemi pranë fundit të një procesi të gjatë. Unë nuk besoj në dorëheqje. Unë nuk pranoj të nxierrem jashtë nga gara. Unë do të bëj çështë e mundur që të fitoj emërimin e partisë”.

Zonja Klinton shpreson nqë fitorja e saj bindëse në Virxhinian Perëndimore do t’i japë asaj një mundësi të re për të dalë në krye në pesë zgjedhjet praraprake që kanë mbetur, ashtu si Senatori Obama shpreson shumë që të përfitojë ndjeshëm nga mbështetja e zotit Eduards.

Shtetet Këntaki dhe Oregon mbajnë zgjedhjet praraprake të martën e ardhëshme dhe këto zgjedhje marrin fund më 3 qershor. Demokratët do të mbajnë kuvendin e partisë së tyre në Denver të shtetit Kolorado në fund të gushtit për të zgjedhur kandidatin e tyre që do të konkurojë ndaj Senatorin Xhon Mekain që mendohet se do të jetë kandidati republikan për president. //iç//

XS
SM
MD
LG